Ushtarët shqiptarë do të ruajnë VIP-at civilë e ushtarakë në Çad dhe Afrikë
Republika e Shqipërisë është e angazhuar politikisht që të kontribuojë me dërgimin e një force ushtarake shqiptare në Republikën e Çadit dhe Republikën e Afrikës Qendrore, në kuadër të operacionit "EUFOR" të Bashkimit Evropian. Qëllimi i pjesëmarrjes në operacionin ushtarak të BE-së për menaxhimin e krizës në Republikën e Çadit dhe Republikën e Afrikës Qendrore është që të demonstrojë edhe gatishmërinë e vendit tonë për të kontribuar për ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit në atë rajon e më gjerë. Objektivat e politikës së mbrojtjes për pjesëmarrjen në operacionin e BE-së në Çad dhe Republikën e Afrikës Qendrore janë që të demonstrojë gatishmërinë e Shqipërisë për pjesëmarrje aktive në politikën evropiane të sigurisë dhe të mbrojtjes, të zgjerohet bashkëpunimi aktiv bilateral me vendet e tjera aleate. Kjo forcë ushtarake shqiptare do të konsistojë me një kompani të Forcave të Armatosura me 62 efektiva me rotacion çdo 6 muaj. Kostoja financiare e pjesëmarrjes me një kompani në misionin "EUFOR" të BE-së llogaritet që për gjashtë muaj të jetë rreth 126 milionë lekë, ku përfshihet shpërblimi ditor, sigurimi i jetës, ndërlidhja strategjike Shqipëri-Çad, evakuimi mjekësor strategjik dhe shërbimi postar, për një nivel pjesëmarrjeje me 62 personel ushtarak dhe që do të përballohen nga fondi i Ministrisë së Mbrojtjes. Mbështetja logjistike, shëndetësore dhe transporti strategjik i trupave Shqipëri-Çad dhe kthim, do të përballohen nga Forcat e Armatosura të Francës. Në lidhje me çështjet financiare, zinxhirin e komandimit, statusin e forcave të kontingjentit ushtarak shqiptar, kjo pikë do të rregullohet me një marrëveshje ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Miratimi i këtij projektligji është cilësuar si rast emergjent, pasi parashikohet që kontingjenti të dërgohet me mision brenda fundit të muajit maj 2008 ose fillimit të muajit qershor, duke synuar në këtë mënyrë vazhdimin dhe shtimin e pjesëmarrjes së Republikës së Shqipërisë në operacionet ushtarake në kuadër dhe organizuar nga Bashkimi Evropian. Misioni i autorizuar i kompanisë së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë do të jetë sigurimi i shtabit të përgjithshëm të EUFOR-it, me vendndodhje në qytetin N`Dajmenës, Republika e Çadit. Një tjetër mision i palës ushtarake shqiptare është edhe patrullimi në rajonin e qytetit të N`Dajmenës dhe shoqërimi dhe sigurimi i personaliteteve civile dhe ushtarake, të rëndësishme nga aeroporti në kamp dhe anasjelltas. Shoqërimi dhe sigurimi i trupave që mund të lëvizin nga kampi, që ndodhet në qytetin N`Dajmena për në kampin që ndodhet në qytetin Abeche, përfshirë edhe sigurimin e këtyre trupave sipas situatës operacionale. Ushtarakët që do të marrin pjesë në operacionin "EUFOR", për ditët e qëndrimit në këtë operacion veç pagës mujore do të marrin për vështirësi shërbimi edhe një shpërblim ditor në masën që do të caktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.