E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria: Policia të blejë armë moderne

Modernizohet policia shqiptare. Qeveria ka vendosur për armatimin që është aktualisht në përdorim nga policia shqiptare, i cili është armatim luftarak, prodhim i viteve 1970 dhe jo armatim policor, ta zëvendësojë me armatimin e standardeve evropiane. Projekti është dorëzuar në Këshillin e Ministrave nga ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, në bashkëpunim me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, kryekomisarin Ahmet Prençi. Në zbatim të nenit 20, pika 2 të ligjit nr. 9749, datë 4 qershor 2007 "për Policinë e Shtetit", drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, si autoriteti më i lartë administrativ, teknik dhe operacional i policisë i propozon ministrit të Brendshëm tabelën e organizimit të armatimit, lëndëve kimike, mjeteve të përdorimit të forcës nga Policia e Shtetit, si edhe rregullat për ruajtjen, mirëmbajtjen, shpërndarjen dhe përdorimin e tyre. Sipas vendimit, ngarkohet Ministria e Brendshme të hartojë planet për zëvendësimin, në të ardhmen, të armatimit, lëndëve kimike dhe mjeteve të tjera, të përdorimit të forcës nga Policia e Shtetit në përputhje me standardet e BE-së. Disa nga armët që do të përdoren nga policia do të jenë, armë zjarri policore, pistoletë kalibër 9x19 m/m, shotgan 12mm, bombola me gaz CN, jelek antiplumb të nivelit të tretë, shkop metalik me gjatësi të ndryshueshme, armë të ftohta, municion policor 40 m/m me saçme gome, me gaz, me plumb dhe me eksploziv.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›