E Diel, 1 Nëntor 2026

“Mediu do të hetohet si gjithë të tjerët”

Prokurorja e Përgji-thshme, Ina Rama, konfirmoi dje se ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, do të hetohet penalisht për tragjedinë e Gërdecit. 

Trazhgim Sokolaj

Shefja e organit qendror të akuzës e konsideroi heqjen e imunitetit të deputetit republikan, si një moment që i hap rrugë hetimit të plotë lidhur me tragjedinë e ndodhur më 15 mars në Gërdec, e cila shkaktoi 26 të vdekur dhe mbi 300 të plagosur. "Heqja e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, i hap rrugë hetimeve të plota për çështjen e Gërdecit. Mediu do të hetohet si të gjithë personat e tjerë", është shprehur Kryep-rokurorja. Ina Rama nuk preferoi të bënte komente lidhur me pozicionin e ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha, në çështjen "Gërdeci", edhe pse ai u shkarkua tri ditë më parë me dekret të Presidentit dhe propozim të Kryeministrit. Prokurorja e Përgjithshme lidhur me këtë fakt tha se do të ketë një konkluzion nga grupi hetimor i ngritur për zbardhjen e tragjedisë së Gërdecit. Ina Rama ishte e pranishme në takimin e prokurorëve të të gjithë vendit, të cilët votuan dje për zgjedhjen e tre anëtarëve të Këshillit të Prokurorisë së Përgjithshme. Gjatë fjalës së saj para prokurorëve në të gjithë vendin, para se të komentonte çështjen "Gërdeci", Ina Rama iu drejtua vartësve duke thënë se, "askush të mos i shpëtojë ndjekjes penale nëse kryen një vepër penale, dhe po ashtu askush të mos penalizohet padrejtësisht, pasi i shkelen të drejtat. Bëni hetim të plotë dhe të gjithanshëm. Nuk jemi në 1997, por në 2008, punoni me standarde dhe me prova të plota që provojnë fajësinë e të pandehurve".
"Presim dokumentet"
Burimet zyrtare nga grupi hetimor i dosjes "Gërdeci" janë shprehur dje, se nuk mund të bëjnë asnjë veprim hetimor ndaj Fatmir Mediut, derisa Kuvendi të dërgojë në Prokurori procesverbalin e seancës ku u votua për heqjen e imunitetit. "Vetëm pasi ky dokumentacion të administrohet në dosje, ish-ministri i Mbrojtjes do të ketë statusin e personit në hetim. Atij do t'i verifikohen pasuritë, do të merret në pyetje dhe do të ballafaqohet me faktet e gjetura kundër tij", janë shprehur burimet e Prokurorisë së Përgjithshme. Sipas tyre, në rastin e Gërdecit, dyshohet se veprimtaria e çmontimit të municioneve është realizuar në interes të përfitimeve të mëdha financiare dhe për këtë shkak pasuria e të gjithë personave në hetim do të verifikohet imtësisht.      
Presidenti
Presidenti Bamir Topi, i cili ishte i pranishëm në takimin e prokurorëve nga gjithë vendi për votimin e anëtarëve të Këshillit të organit të akuzës, kërkoi që ky institucion të përkushtohet për të rifituar besimin e publikut. "Duhet të zhduket në mënyrë definitive ajo që pëshpëritet sot, gati në sintoni në të gjitha ambientet shoqërore: dikush burgoset me vite për vjedhjen e një celulari, ndërsa të tjerë që mund të kenë bërë vepra kriminale lëvizin të lirë", tha kreu i shtetit gjatë fjalës së tij para prokurorëve. Ai u ka apeluar njerëzve të drejtësisë "të zgjohen" për një standard të ri në punën e tyre, duke u bazuar te profesionalizmi, integriteti dhe ndershmëria, çka sipas Presidentit do t'i bënte edhe vetë prokurorët më të sigurt e më të respektuar në detyrën e tyre.

Anëtarët e Këshillit të Prokurorisë

1. Përparim Kulluri        122 vota
Kryeprokuror i Shkodrës

2. Olsian Çela            108 vota
Prokuror te Krimet e Rënda

3. Sokol Stojani         102 vota
Prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›