E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrihen me pronarin e autobusit, arrestohen 4 policët bashkiakë

DURRES - Policia Bashkiake e Durrësit tronditet nga katër arrestime. 

Afro ¼ e efektivave të saj është arrestuar në mesnatë nga homologët e Policisë së Shtetit. Në pranga ka përfunduar edhe shefi i Policisë Bashkiake, Rexhep Bulku, si dhe tre vartësit e tij Bashkim Maloku, Ndriçim Dervishi dhe Denis Omeri. Policia e Shtetit konfirmon se "arrestimi në flagrancë i këtyre shtetasve u bë për veprën penale të kryerjes së veprimeve arbitrare". Policia e Qarkut njofton se shkas për arrestimet e bujshme është bërë një kontroll rutinë i Policisë Bashkiake, i cili më pas ka degjeneruar në sherr mes bluve vendorë dhe kundërvajtësit Fatmir Zakova. Ngjarja ka ndodhur në segmentin rrugor stacioni i trenit-ura e Dajlanit, në orët e vona të natës kur, Policia Bashkiake kryente shërbimin për kontroll të automjeteve-taksi pa licenca. Skuadra e Policisë Bashkiake ka ndaluar mjetin autobus me targë DR 0366 D me pronar shtetasin Fatmir Zakova, duke i kërkuar atij dokumentacionin. Pas kontrolleve të para rezultoi se ky mjet nuk ishte i pajisur me dokumentacionin përkatës. Por pikërisht në këtë çast ka nisur një sherr që ka kaluar në pak sekonda nga fjalët tek grushtet. Pronari i autobusit, që kryente edhe funksionin e shoferit ka kundërshtuar duke provokuar i pari me fjalë dhe fyerje njerëzit me uniformë. Në gjaknxehtësi e sipër Policia Bashkiake i është përgjigjur kundërvajtësit me të "njëjtën monedhë", duke "harruar" faktin se duhet të silleshin ndaj tij si profesionistë. Gjatë debatit me punonjësit e Policisë Bashkiake shoferi është goditur me sende te forta dhe grushte në fytyrë e trup, kundërpërgjigje kjo e drejtpërdrejtë e fyerjeve të provokuara prej tij. Në orët e vona të natës Policia Bashkiake ka dashur më pas ta shoqërojë shoferin, në atë të Shtetit, por ky veprim është gjykuar nga homologët e Ministrisë së Brendshme si arbitrar dhe si tejkalim kompetencash ndaj është urdhëruar në mesnatë arrestimi i kryetarit Bulku dhe i tre efektivave të tjerë. Pas mjekimit, Zakova ndodhet akoma në spitalin e Durrësit jashtë rrezikut për jetën. Dhe ndaj tij kanë nisur hetimet, me akuzën e "fyerjes për shkak të detyrës".               o.u

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›