E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediu, kallëzim Ina Ramës, për sekretin hetimor

Ish- ministri i Mbrojtjes akuzon kryeprokuroren, për publikimin e kërkesës së drejtuar kuvendit vitin e kaluar për heqjen e imunitetit

Kreu i Hetimit, Sokol Stojani, është denoncuar gjithashtu për dërgimin e sms- ve gazetarëve të një paneli në një emision televiziv


Tiranë- ish-Ministri i Mbrojtjes, dhe një prej 29 të pandehurve të tragjedisë së Gërdecit, Fatmir Mediu, kallëzon në prokurorinë e Tiranës kryeprokuroren Ina Rama dhe drejtuesin e hetimeve të kësaj dosjeje, Sokol Stojanin. Kjo u bë e ditur mesditën e djeshme, në një konferencë për mediat nga mbrojtësit ligjorë të të pandehurit Mediu, avokatët Petrit Serjani dhe Ardian Visha.

Ky i fundit, gjatë fjalës së tij, në prani të vetë të pandehurit dhe krerëve më të lartë të Partisë Republikane lexoi deklaratën në lidhje me kallëzimin penal të dorëzuar ndaj krerëve më të lartë të institucionit të akuzës nga ish-Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu.

Sipas avokatit Visha, kallëzimi ndaj kryeprokurores Rama dhe Drejtorit të Hetimit, Stojani, është dorëzuar pranë prokurorisë së kryeqytetit me objekt "nxjerrjen dhe publikimin e sekretit hetimor" dhe "shpërdorim të detyrës".

"Më datën 25 prill 2008 shtetasja Ina Rama me cilësinë e Prokurores së Përgjithshme, në bashkëpunim me grupin e prokurorëve që janë marrë me hetimin e çështjes së "Gërdecit", kanë organizuar një konferencë për shtyp në ambientet e Prokurorisë, duke publikuar në mënyrë të paligjshme përmbajtjen e akteve procedurale të kërkesës së heqjes së imunitetit tim si deputet i Kuvendit, duke ia shpërndarë atë kërkesë medieve",- nënvizon ndër të tjera deputeti Mediu në kallëzimin e tij.

Këto veprime, sipas kallëzimit ndaj Ina Ramës, cilësohen si të paligjshme, të kryera me dashje për diskreditimin politik dhe publik të Fatmir Mediut dhe subjektit politik që ai përfaqëson.

"Konsumimi i veprave penale të "zbulimit të akteve ose të dhënave sekrete" dhe atë të "shpërdorimit të detyrës" nga ana e Prokurores së Përgjithshme, me ose pa bashkëpunimin e prokurorëve që kanë qenë prezentë në këtë konferencë, është i plotë dhe i provuar.

Si prova, dorëzohen në prokurori bashkë me kallëzimin edhe një DVD-i ku është regjistruar konferenca e plotë për shtyp, fotografitë e këtij aktiviteti të paligjshëm dhe publikimi i plotë i kërkesës për heqjen e imunitetit të deputetit Mediu të publikuar të nesërmen në mediat e shkruara",- thuhet në kallëzimin e firmosur nga vetë i pandehuri Mediu.

Ndërkaq, kallëzimi penal ndaj drejtuesit të hetimeve të Gërdecit, prokurorit Sokol Stojani ka si objekt vetëm "shpërdorimin e detyrës".

Kjo vepër është konsumuar sipas Vishës, me anë të komunikimit të tij elektronik nëpërmjet mesazheve (SMS-ve) me gazetarët e pranishëm në një emision televiziv mbrëmjen e datës 19 mars ku i pranishëm përballë gazetarëve ishte vetë i pandehuri Mediu.

"Në këtë emision televiziv, ku unë kam qenë i ftuar përballë gazetarëve, duke pranuar ftesën me ushtrim të të drejtave të mia si qytetar i thjeshtë, si politikan e si kreu i një partie institucionale.

Gjatë ndërprerjeve publicitare të emisionit dhe pas tij, kam konstatuar se panelit të gazetarëve në aparatet e tyre telefonike i kanë ardhur mbi 10 sms nga numri i regjistruar në emër të Sokol Stojanit.

Për sa kohë teksti i përçuar përmban sugjerime për pyetje publike ndaj meje, pa i hyrë subjektivizmit të fyerjeve të mundshme, prokurori Stojani ka konsumuar elementë të veprës penale të "shpërdorimit të detyrës".

Vepër kjo e konsumuar nëpërmjet ndërhyrjeve me anë të të tretëve, në një emision mediatik publik, për më tepër "puna" e tij hetimore ka përfunduar dhe dosja ka kaluar në gjykatë, ka synuar diskreditimin tim publik për shkak të abuzimeve keqdashëse dhe jo transparente të të dhënave që ai disponon për shkak të detyrës",-thuhet në kallëzimin e deputetit të pandehur Fatmir Mediu.

Për të provuar këtë akuzë, Mediu kërkon nga prokuroria, tabulatet telefonike të numrit celular që posedohet nga Stojani, sekuestrimin e aparatit të tij dhe vlerësimit me ekspert të çdo fshirjeje të mundshme të SMS-ve.

Neni 295/a i Kodit Penal
Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete


Zbulimi i akteve sekrete ose i të dhënave, që përmbajnë aktet sekrete, nga prokurori ose oficeri i policisë gjyqësore, si dhe mosrespektimi i detyrimeve të përcaktuara në nenin 103 të Kodit të Procedurës Penale, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.

Neni 248 i Kodit Penal
Shpërdorimi i detyrës

Kryerja ose mos kryeja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mos përmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jo materiale të padrejta, a kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale dënohet me burgim deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga 300 000 - 1 000 000 lekë.

Neni 103 i Kodit të Procedurës Penale
Ndalimi i publikimit të aktit


1. Ndalohet publikimi, qoftë edhe i pjesshëm, i akteve sekrete që lidhen me çështjen ose dhe vetëm i përmbajtjes së tyre nëpërmjet shtypit ose informacionit masiv.
2. Ndalohet publikimi, qoftë edhe i pjesshëm, i akteve jo sekrete deri në përfundimin e hetimeve paraprake.


3. Ndalohet publikimi, qoftë edhe i pjesshëm, i akteve të shqyrtimit gjyqësor kur gjykimi bëhet me dyer të mbyllura. Ndalimi i publikimit hiqet kur plotësohen afatet e caktuara me ligj për arkivat e shtetit ose kur ka kaluar afati prej dhjetë vjetësh nga data që vendimi ka marrë formën e prerë, por me kusht që publikimi të jetë autorizuar nga ministri i Drejtësisë.


4. Ndalohet publikimi i gjeneraliteteve dhe i fotografive të të pandehurve dhe të dëshmitarëve të mitur, të akuzuar ose të dëmtuar nga vepra penale. Gjykata mund të lejojë publikimin vetëm kur e kërkojnë interesat e të miturit ose kur i mituri ka mbushur moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›