Vdes nën dëborë 70-vjeçari, shpëton i biri
Kryekomunari: Kërkuam ndihmën e helikopterit qysh mbrëmë, por për shkak të errësirës lëvizja u bë në mëngjes, tepër vonë për njërin prej të dëmtuarve
ELBASAN - Një i moshuar gjen vdekjen i përfshirë nga dëbora e madhe, ndërsa djali i tij shpëton mrekullisht. Dëbora e madhe e dy ditëve të fundit ka pushtuar rrugës babë e bir, të cilët ishin nisur tek stani i bagëtive në fshatin Benë të komunës Labinot Mal në rrethin e Elbasanit. Ata jetonin në Elbasan, por kishin një stan me bagëti në mal, ku edhe janë përballur me 1 metër e gjysmë dëborë. Një celular ka qenë shpëtimi për djalin, ndërsa për babanë 70-vjeçar nuk ka pasur asnjë mundësi.
Sherif dhe Shaban Plakaxhiu janë gjetur nën dëborë nga banorët e fshatit të cilët janë njoftuar nga Shabani me kërkesës emergjente për ndihmë. Banorët i kanë çuar në shtëpinë më të afërt dhe aty i është dhënë ndihma 70-vjeçarit dhe djalit të tij 35 vjeç. Kryetari i komunës Qani Xhafa ka njoftuar Ministrinë e Brendshme për gjendjen e rënduar të 70-vjeçarit dhe për një ndihmë mjekësore për djalin e tij. Duke qenë se ishte mbrëmje, ardhja e një helikopteri ka qenë e pamundur.
Atëherë mjeku i komunës ka mbërritur në shtëpinë ku ndodheshin dy personat e gjetur nën dëborë. Për të moshuarin nuk ka pasur asnjë mundësi shpëtimi, ndërsa për djalin gjendja ka ardhur duke u përmirësuar. Për shkak të bllokimit të rrugëve nga fshati Benë ku ndodheshin dy të dëmtuarit, u bë i mundur transporti nëpërmjet helikopterit të trupit të pajetë të Sherifit. Kreu i komunës Xhafa tha se Ministria e Brendshme është shprehur e gatshme në mëngjes, por ka qenë tepër vonë për 70-vjeçarin.
Helikopteri i mbërritur ka bërë transportin e kufomës së Sherifit dhe të djalit që, megjithëse në gjendje të dobët shëndetësore pas asaj që kishte pësuar, ku rrezikonte të mbetej nën dëborë, ka pasur përmirësime. Varrimi i 70-vjeçarit është bërë pasditen e djeshme rreth orës 16:00 në varrezat e qytetit të Elbasanit. Në varrim ka marrë pjesë Shabani, djali 35 vjeç që mundi t'i mbijetojë 1,5 metër dëborë që ka pushtuar zonën më të thellë të Elbasanit. Kreu i komunës Labinot Mal nisur nga kjo ngjarje ka thënë se këto fshatra janë mjaft në vështirësi.
\ Komuna Labinot Mal, tha Xhafa, është një ndër zonat më të goditura nga dëbora. Situata paraqitet problematike dhe kërkohet ndihmë që të mos regjistrohen më situata të tilla. Ai ka ritheksuar se në rastin konkret ka qenë pamundësia e ndërhyrjes së helikopterit dhe të shërbimeve mjekësore për shkak të errësirës por, sipas tij, kjo situatë tregoi se duhet të përgatiten për gjithçka. Ai ka kërkuar ndërhyrje për rrugët dhe për ndihma emergjente në rast se situata nuk do të përmirësohet.