E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kategoritë e policëve që do ruajnë zgjedhjet

KQZ ndalon forcat speciale, komandot e ushtrisë por edhe agjentët e SHISH-it që ti afrohen qendrave të votimit

TIRANË- Policia e Shtetit do të angazhohet që në gjatë periudhës zgjedhore të ruajë sigurinë dhe rendin. Por jo të gjitha forcat e saj mund të angazhohen në këtë proces, pasi udhëzimi i miratuar dje nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ndalon përdorimin e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe Forcave Speciale, në ruajtjen e objekteve zgjedhore.

Gjithashtu do të ndalohet përdorimi i forcave komando dhe i forcave të tjera të ushtrisë për ruajtjen e objekteve që kanë lidhje me zgjedhjet. Pjesë e forcave të sigurisë që nuk do të lejohen të marrin pjesë në këtë proces do të jenë dhe forcat e shërbimeve inteligjente.

Kështu në udhëzim është sanksionuar të ndalohet përdorimi apo pjesëmarrja e punonjësve ose strukturave të Shërbimit Informativ Shtetëror në ngjarjet që kanë të bëjnë me zgjedhjet apo në veprime, që mund të ndikojnë në vullnetin e zgjedhësve.

Ndërkohë që efektiva të veçantë të policisë, por edhe të ushtrisë do të ndalohen që të kryejnë edhe aktivitete të tjerë që nuk kanë të bëjnë direkt me procesin zgjedhor, por që nëpërmjet demonstrimit të forcës mund të ndikojnë në opinionin publikë.

Për këtë arsye do të ndalohet gjatë gjithë periudhës zgjedhore, kryerja e ushtrimeve ose manovrave ushtarake jashtë reparteve ose vendeve të dislokimit nga forcat e ushtrisë, si dhe përdorimi i Forcave të Policisë së Shtetit dhe atyre të ushtrisë në veprime që mund të cenojnë vullnetin e shtetasve.

Forcat komando dhe forcat e tjera të ushtrisë do të ndalohen edhe të lëvizin gjatë periudhës zgjedhore, përveçse me urdhër me shkrim të Ministrit të Brendshëm dhe Ministrit të Mbrojtjes, kur këto forca nevojiten për ruajtjen e Objekteve të rëndësisë së veçantë ose në zëvendësim të punonjësve të Policisë së Objekteve. Por kjo pikë ka shkaktuar përplasje mes anëtarëve dhe përfaqësuesve të partive politike në KQZ.

Kështu opozita ka kërkuar që urdhri për lëvizjen e forcave komando dhe atyre ushtrisë duhet ti vihet në dispozicion KQZ-së paraprakisht 10 ditë para se ato të hyjnë në fuqi, teksa të djathtët kanë këmbëngulur që të lihej siç edhe përcaktohej në projekt-akt, pra urdhri të vihej në dispozicion të KQZ-së menjëherë, pa përcaktuar afat.

Në përfundim pas një pushimi të detyruar, duket se është bërë e mundur që të gjendet një zgjidhje kompromisi, duke për urdhrat e parashikuara titullarët e forcave të sigurisë i dërgojnë jo më vonë se pesë ditë nga momenti i zbatimit urdhrin përkatës KQZ-së. Në rastet emergjente apo të paparashikuara ajo ia dorëzon menjëherë.

Ndërkohë që policët që do të shërbejnë ditën e zgjedhjeve do të përdorin vetëm armatim brezi, ndërsa ruajtësit e objekteve dhe shoqëruesit e kutive të votimit mund të përdorin dhe armë automatike.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›