PS-PD, negociata për ti dhënë fund debatit për kartat e identitetit
Dy partitë e mëdha kanë lëshuar dje sinjale për t’i dhënë fund debatit politik për pajisjen e qytetarëve me karta identiteti. Burime nga të dyja partitë kanë bërë të ditur dje se palët kanë rënë dakord së bashku që të vendoset një kuotë modeste prej 200 lekësh për marrjen e një karte të tillë. Kjo presupozohet për të gjithë personat që nuk janë të pajisur me pasaporta, në mënyrë që atyre t’u sigurohet pajisja me mjetin e ri të identifikimit në prag të zgjedhjeve. Duket se debati politik i kohëve të fundit për pajisjen e qytetarëve me karta identiteti u zgjidh menjëherë pas ndërhyrjes së faktorit ndërkombëtar në Shqipëri.
Vetëm dy ditë më parë kuarteti ndërkombëtar i përbërë nga ambasadori i SHBA-ve, Uidhers, ambasadori i KE-së, Lohan, ambasadorja çeke, Fialkova dhe ambasadori i OSBE-së, Bosh, zhvilluan takime me dy krerët e partive të mëdha, Berishën dhe Ramën, larg syrit të medias. Pas një hezitimi të gjatë, maxhoranca qeverisëse duket se është tërhequr nga qëndrimi i deritanishëm për të pranuar tanimë bashkëpunim me opozitën në gjetjen e një zgjidhjeje imediate për intensifikimin e procesit të pajisjes së qytetarëve pa pasaporta me karta identiteti, si mundësia e vetme për të shpëtuar procesin e ardhshëm zgjedhor.
Tani të dyja palët po punojnë në nivel ekspertësh për të parë se sa efikase mund të jetë kjo formulë në zbatimin e saj në terren. Ka ende mijëra qytetarë pa pasaporta, që nuk kanë aplikuar për letërnjoftim, dhe duke marrë parasysh ditët e mbetura, do të nevojitet një angazhim total për të përmbyllur procesin. Prej javësh çështja e letërnjoftimeve është kthyer në një temë përplasjesh politike. Socialistët vunë alarmin sepse, sipas tyre, zgjedhjet dhe standardet e tyre po viheshin në rrezik. Qeveria shqiptare i cilësoi në mënyrë të përsëritur ankesat e opozitës si përpjekje për të denigruar procesin, por në kohë të ndryshme ndërhyri me disa masa, të cilat, megjithatë, nuk i dhanë zgjidhje përfundimtare problemit.
25 Prill 2009