Operatori i katërt celular, PS-ja: Qeveria nuk duhet të bëjë privatizime para zgjedhjeve
Partia Socialiste ka reaguar pas votimit të maxhorancës në Kuvend për miratimin e licencës së operatorit të katërt celular. Deputeti i PS-së, Arben Malaj, deklaroi në një konferencë për shtyp se nuk mund të realizohen privatizime strategjike në kohën kur po afrojnë zgjedhjet parlamentare. “Dy muajt e fundit asnjë qeveri nuk mund të bëjë privatizim në sektorin strategjik”, - tha Malaj. Deputeti socialist theksoi dështimin e procesit të tenderimit për operatorin celular nga Enti Rregullator i Telekomunikacionit. Sipas Malajt, kjo tregon qartë dështimin e qeverisë në sektorin e telefonisë. “ERT-ja është një strukturë mbiqeveritare. Kur ERT-ja e ka deklaruar të dështuar procesin, atëherë procesi duhej të ritestohej dhe të kishte transparencën maksimale. Dështimi në sektorin e telefonisë duket qartë për shkak të kostove të rënda që paguajnë shqiptarët”, - tha Malaj. Deputeti socialist komentoi gjithashtu edhe gjendjen aktuale të buxhetit të shtetit, sipas të cilit në të mungojnë 4.3 miliardë lekë si rezultat i mosrealizimit të të ardhurave tatimore. “Të ardhurat e tremujorit po vërtetojnë rënie të tyre duke e bërë më të vështirë dhe më të shtrenjtë financimin e buxhetit. Të ardhurat tatimore vetëm për tre muaj kanë një mosrealizim rreth 4,3 miliardë lekë”, - tha Malaj.
Ai tha se buxheti do të ketë vështirësi në të ardhmen për shkak të keqpërdorimit elektoral që po i bën qeveria. “Në kushtet kur rritja ekonomike është gati zero me mënyrën se si po keqpërdoret buxheti për qëllime elektorale, sipas FMN-së, BB-së dhe Bankës Qendrore të Shqipërisë, financimi i buxhetit do të jetë në vështirësi në rritje në muajt e ardhshëm. Kjo vështirësi kërkon disiplinë buxhetore dhe nuk mund të zgjidhet me marrjen e borxheve me kushte të rënda tregtare, të cilat do të jenë një barrë shtesë për taksapaguesit shqiptarë. Ne i falënderojmë institucionet financiare ndërkombëtare për profesionalizmin dhe përgjegjësinë me të cilat po e ndjekin nga afër ekonominë shqiptare, duke paralajmëruar publikun për rrisqet në rritje dhe duke i kërkuar qeverisë të marrë përgjegjësitë për të ndalur përkeqësimin e stabilitetit fiskal të vendit”, - tha Malaj.
25 Prill 2009