Veliaj shpalos në Lushnjë prioritetet e programit të G99-s
Erion Veliaj, i shoqëruar nga Alban Skënderaj dhe nga aktivistë të G99-s, u ndalën në qytetin e Lushnjës, në kuadër të turit “Rock dhe politikë”. Gjatë një diskutimi me të rinj të qytetit të Lushnjës, Veliaj theksoi tri çështjet kyçe që G99-a do të propozojë pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Këto prioritete, sipas Veliajt, janë miratimi i projektligjit për të drejtën e votës së emigrantëve, zbatimi i strategjisë për punësimin rinor si dhe rritja e buxhetit për arsimin. “Ne do të luftojmë deri në fund që Kuvendi i ri që do të dalë pas 28 qershorit, të miratojë sa më parë projektligjin për votën e emigrantëve, strategjinë tonë për punësimin rinor si dhe të rrisë buxhetin për arsimin. Këto janë tri çështjet kyçe për të cilat G99-a do të japë kontributin kryesor në koalicionin qeverisës me Partinë Socialiste”, - tha Erion Veliaj.
25 Prill 2009