E Diel, 1 Nëntor 2026

Mediu takon ish-sekretarin amerikan të Mbrojtjes, England



Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, zhvilloi dje në Tiranë një takim me ish-sekretarin e Mbrojtjes amerikane, Gordon England. Gjatë takimit dy politikanët kanë vlerësuar marrëdhëniet shumë të mira midis dy vendeve si dhe reformat e ndërmarra nga qeveria “Berisha”. “Shqipëria është një vend interesant dhe përherë e më shumë ne po e shohim vendin tuaj si një partner të sigurt për bashkëpunime. Anëtarësimi i vendit tuaj në NATO është një arritje e madhe. Jam njohur me punën tuaj kur ju ishit në krye të Mbrojtjes shqiptare dhe dua t’ju përgëzoj për vizionin dhe reformat e ndërmarra. Nëse Shqipëria sot është pjesë e Aleancës është falë edhe lidershipit të saj. Misionet tuaja në Afganistan dhe Irak kanë dhënë një shembull shumë të mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët”, - është shprehur England gjatë këtij takimi. Nga ana e tij, Mediu e falënderoi z.Englandin për vizitën e tij në Shqipëri dhe për të gjithë suportin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë Shqipërisë në rrugën e saj demokratike dhe veçanërisht në procesin e anëtarësimit në NATO.

Presidenti Topi takon një delegacion me deputetë të Parlamentit të Gjermanisë

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti dje në mjediset e Pallatit të Brigadave një delegacion deputetësh të Parlamentit të Republikës Federale të Gjermanisë, të cilët shoqëroheshin nga ambasadori gjerman në Tiranë, Bernard Borhard. Presidenti Topi vlerësoi marrëdhëniet tradicionalisht shumë të mira mes dy vendeve tona, duke theksuar faktin se Shqipëria e konsideron Gjermaninë si një partner strategjik shumë të rëndësishëm të saj. Deputetët e Parlamentit gjerman, zotërinjtë Valter Kolbov dhe Martin Vajs, shprehën urimet më të sinqerta për futjen e Shqipërisë në NATO, “në këtë bashkësi vlerash të përbashkëta dhe zgjidhjesh ushtarake”, duke e siguruar presidentin Topi se mbështetja e Gjermanisë ndaj plotësimit të aspiratave integruese të vendit tonë do të vazhdojë të jetë intensive dhe e palëkundur. Parlamentarët gjermanë shprehën vullnetin për fuqizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha fushat si përsa i përket rritjes së dialogut politik dhe bashkëpunimit ndërparlamentar, ashtu edhe shkëmbimeve ekonomike, në fushën e kulturës, kërkimeve shkencore etj.

19 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›