Mediu, vërejtje socialistëve: Mos u bëni vegla në duart e Ramës
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, theksoi se deklaratat e Partisë Socialiste, për mosnjohjen e procesit zgjedhor nuk e ndihmojnë aspak vendim për tu integruar në BE, përkundrazi e pengojnë tej mase atë. Sipas Mediut, Partia Socialiste është një parti me traditë në politikën shqiptare, dhe nuk është një parti e një individi. Sipas tij liderët në një parti shkojnë dhe vijnë por ajo çka është më e rëndësishmja është që anëtarët e PS, nuk duhet të bëhen vegla në duart e Ramës, vetëm që ai të mos humbë postin.
Mediu deklaroi se PS nuk duhet të vazhdojë ta pengojë më Shqipërinë për të ecur përpara, vetëm e vetëm për të plotësuar tekat e kryetarit të saj, sipas tij PS nuk duhet të përsërisë gabimin që bëri gjatë këtyre katër vjetëve. Deputetët e PS, në këtë katër vjeçar e kthyen parlamentin në një fushë protestash, me qëllimin e vetëm për të realizuar kërkesat dhe tekat e liderit të partisë së tyre, u shpreh Mediu. Ndër të tjera ai shtoi se deputetët e PS, këtë herë nuk duhet të veprojnë më në kuvend duke ju rënë borive, por të ulen dhe të gjejnë zgjidhje të përbashkëta me pozitën për hartimin dhe miratimin e ligjeve, e cila do ta ndihmonte shumë Shqipërinë që të vazhdojë reformat, për të përmirësuar jetën e shtetasve të saj. Gjithashtu ai ka vlerësuar koalicioni midis PD dhe LSI, duke e cilësuar atë si zgjidhja më e mirë për pozitën në të cilën ndodhet Shqipëria. Mediu theksoi se koalicione për çështje madhore të vendit kanë ekzistuar prej kohësh, gjithashtu një bashkëpunim i tillë do ti jepte mundësinë qeverisë shqiptare që ti zbatojë më shpejt dhe me më shumë efikasitet reformat të cilat ajo ka ndërmarrë për katër vitet që do të vijnë. Sipas tij në të gjithë botën kanë ekzistuar koalicione midis partive të majta dhe të djathta dhe koha ka treguar që gjithmonë këto koalicione kanë triumfuar. Gjithashtu ai theksoi se do të rishikohet dhe programi i LSI, e cila ka sjellë një frymë të re dhe shumë demokratike në programin e saj, duke shtuar se programi i LSI, është shumë i ngjashëm me programet e partive të djathta. Mediu tha se koalicioni i bërë ndërmjet PD dhe LSI, shmangu një ngërç të madh politik dhe ekonomik. Në pozitën në të cilën Shqipëria ndodhet sot ku ne gjendemi përballë një krize ekonomike botërore, ishte shumë e zgjuar lëvizja e LSI, e cila shmangu një ngërç të madh e cila do të bllokonte politikën shqiptare. Sot Shqipëria ka nevojë për zgjidhje që të vazhdojë përpara, dhe këtë zgjidhje e bëri LSI, u shpreh Mediu. Ai deklaroi se qeveria e re që do të krijohet, tani do të ketë mundësinë për të filluar nga puna sa më shpejt, në mënyrë që të vazhdojë rrugën e integrimit të vendit drejt Bashkimit Evropian.