E Shtunë, 31 Tetor 2026

Medvedev: Marrëveshja SHBA-Rusi afër kompletimit

Marrëveshja e re për reduktimin e armëve bërthamore është 95 për qind gati, ka deklaruar presidenti i Rusisë, Dimitri Medvedev, indikacioni ky më i qartë deri me tani se SHBA-ja dhe Rusia janë afër eliminimit të mosmarrëveshjeve në lidhje me traktatin e ri.

Medvedev tha se është optimist se marrëveshja do të arrihet dhe se është i trimëruar nga mënyra se si po rrjedhin negociatat. “Kam pritur që negociatat të zgjasin më shumë, por brenda gjashtë muajve ne kemi arritur që të formësojmë shtyllën e dokumentit”, tha Medvedev.

Negociatat në nivel të ekspertëve, në të cilat do të bisedohet për detajet përfundimtare të dokumentit, do të zhvillohen javën e ardhshme në Gjenevë.

Marrëveshja e re do të trashëgojë Traktatin për Reduktimin e Armëve Strategjike (START), të nënshkruar në vitin 1991, afati i së cilës ka skaduar më 5 dhjetor.

SHBA-ja dhe Rusia kishin shpresuar se marrëveshja do të arrihet para përfundimit të vitit të kaluar.

Përderisa shprehu optimizëm sa i përket marrëveshjes për zëvendësimin e traktatit START, Medvedev ishte i rezervuar sa i përket planeve për mbrojtje raketore.

“Është folur për forcat strategjike bërthamore, pa përmendur mbrojtjen raketore. Nëse shkrepën raketat bërthamore, atëherë mund të shkrepën edhe raketat mbrojtëse”, tha Medvedev.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›