E Shtunë, 31 Tetor 2026

Medvedev: Pranë marrëveshjes me SHBA, për reduktimin e armëve bërthamore

Bërthamoret
Marrëveshja e re që do të zëvendësojë “Start -1” është pothuajse gati

Për Presidentin rus, Dmitri Medvedev, traktati me SHBA-në për një reduktim domethënës të armëve bërthamore është përfunduar thuajse 95 për qind. Në lajmin e raportuar nga disa agjenci shtypi, citohen fjalët e Presidentit Medvedev, sipas të cilit: “Gjithçka po shkon mirë në negociata. Në 95 për qind të pyetjeve të marrëveshjes së re kemi rënë dakord”. Medvedev ka thënë se është shumë optimist se “marrëveshja ndërmjet SHBA-ve dhe Rusisë shumë shpejt do të nënshkruhet”. Por për këtë çështje, zëdhënësja e Medvedevit, Natalya Timakova, nuk ka dashur të bëjë asnjë koment. Presidenti amerikan, Barak Obama, dhe Medvedev nënshkruan vitin e shkuar planet për një traktat të ri për reduktimin e armëve strategjike (Start) dhe për reduktimin e arsenalit të dy fuqive më të mëdha nukleare të botës. Bëhet fjalë për një element të rëndësishëm të angazhimeve për të përmirësuar marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Moskës, që kanë arritur pikën e tyre më të ulët nga kohët e Luftës së Ftohtë, pas luftës së shkurtër të Rusisë kundër Gjeorgjisë në vitin 2008. Negociatorët nuk mundën të arrinin një marrëveshje brenda 5 dhjetorit, kur “Start” skadoi, dhe për momentin negociatat zyrtare në Gjenevë nuk kanë nisur akoma. Një drejtues amerikan tha se negociatat do të nisin shumë shpejt, ndërsa marrëveshja pritet të arrihet në shkurt. Për të hyrë në pushtet, traktati duhet të ratifikohet nga dy vendet.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›