E Shtunë, 31 Tetor 2026

Medvedev kundër Putin? Pushon nga puna shefin e shtypit

Presidenti rus, Medvedev, ka pushuar nga puna një këshilltar të tij mbi motivet e abuzimit të detyrës. Kjo lëvizje e tij përbën edhe ndarjen e parë serioze të linjave brenda Kremlinit, që pas ardhjes në pushtet të Medvedevit. Mikhail Lesin, këshilltari i lartë për çështjet e shtypit dhe ish-ministër, është edhe zyrtari i parë i lartë që largohet nga detyra në epokën e Medvedevit. Ai u emërua në atë detyrë nga Putin në vitin 2004 dhe vazhdoi të qëndronte edhe pas ikjes së Putinit. Në deklaratën e Kremlinit thuhet se ai e ka lënë detyrën sipas kërkesës së tij, por agjencia zyrtare ruse e lajmeve "Interfax", deklaroi se ai ishte pushuar, pasi kishte shkelur rregullat dhe parimet etike të shërbimit civil. Thuhet edhe se ish-këshilltari kishte interesa të gjera edhe në media të tjera vendase e si pasojë kishte krijuar konflikt interesi. Medvedev në fjalimin para popullit një javë më parë, deklaroi se do të luftonte korrupsionin, që e quajti "djalli social". Mbetet për të pritur nëse ky do të jetë një rast i veçuar, apo do të pasohet nga të tjerë. Në një rast të tillë do të ishte një qëndrim i qartë i Presidentit aktual kundër paraardhësit të tij, Putin, aktualisht Kryeministër i vendit dhe njeriu që konsiderohet si më i pushtetshmi në vend. Lesin ishte figurë e besuar nën Rusinë e Putinit. Ka qenë ministër shtypi dhe televizioni në periudhën kur Kremlini mori thuajse nën kontrollin e tij të gjithë median e vendit. Për shumë kohë është konsideruar si personaliteti më i rëndësishëm i medias ruse. Me median ai është marrë edhe në kohën e Jelcinit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›