Rinisja e shpejtë e "makinës së Zotit" habit shkencëtarët
Shkencëtarët kanë bërë dje përgatitjet përfundimtare të vënies në funksionim të të ashtuquajturit "Makina e Big Bangit" qëllimi i së cilës është eksplorimi i mistereve të materies. Kjo makinë duhet të ishte vënë në funksionim një vit më parë, por për shkak të një defekti që zgjati 1 vit gjithçka u shty për më vonë. Makineria jashtëzakonisht e shtrenjtë me një vlerë prej 10 miliardë dollarësh ndodhet në CERN, një institut studimesh bërthamore në Zvicër. Fizikanët që punojnë në këtë qendër janë çuditur që mund të përftonin nga vënia në punë e makinerisë rrezet e protoneve që më pas duhet të arrijnë një shpejtësi të ngjashme me atë të dritës. Makina u dëmtua rëndë nga një defekt elektrik shtatorin e vitit të kaluar. Pas dëmtimit të gjithë nisën që të riparonin defektet dhe të ecnin hap pas hapi me kujdes për të mos bërë më gabime dhe për të mos krijuar defekte. Dje në makineri ka nisur rrezatimi në tunelin 27 kilometër të gjatë që ndodhet nën kufirin franko-zviceran. Rivënia në punë e "Makinës së Zotit" është konsideruar një sukses i madh shkencor në të gjitha qarqet, sepse bëhet fjalë për një eksperiment të jashtëzakonshëm, në një makinë të jashtëzakonshme tepër të ndërlikuar dhe mbi të gjitha bëhet fjalë për një bashkëpunim ndërkombëtar që ka nisur fazën e parë të punës para 15 vitesh. Testi i nisur dje do të zgjasë për dhjetë ditë. Vala aktuale e rrymës ka shumë pak protone dhe kjo do të shmangë prishjen e aparaturës nëse do të dalë ndonjë problem. Në këtë proces përdoren 2000 magnete të fuqishme, të cilët sigurojnë patakueshmërinë e grimcave me murin e tunelit. Gjithsesi, gjithçka procedon me shumë kujdes në mënyrë që operacioni të mund të realizohet. CERN me një publicitet shumë të madh e reklamoi sfidën e madhe e të supershtrenjtë në 10 shatorin e vitit 2008, por edhe pse u duk se gjithçka nisi mirë, makineria pas 10 ditësh pësoi një defekt shumë të madh pikërisht te magnetet e fuqishme që më pas dolën jashtë përdorimi. Drejtoi i CERN, përgjegjës për përshpejtuesit tha se janë bërë përmirësime shumë të mëdha në makinë gjatë gjithë kësaj periudhe. Nëse do të realizohet përplasja mes grimcave që kanë një shpejtësi të caktuar, atëherë shkencëtarët shpresojnë që të japin disa shpjegime në lidhje me zanafillën e materies. Aparatura operon në temperaturë nën zero që ndikon në lëvizjen sa më efikase të grimcave. Për këtë projekt kanë bashkëpunuar për vite me radhë mbi 8000 fizikanë nga e gjithë bota. Vetë organizata drejtohet nga 20 vende europiane që kanë gjithashtu mbështetje nga vende të tjera, përfshi observatorët në Japoni, Indi, Rusi dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.