Agim Shehu kërkon rikthimin e gradës Gjeneral
Përveç Gradës madhore që korrespondon me Drejtuesin e Parë, Shehu, ish- kryepolici kërkon pagat shpërblimet dhe interesat e humbura bankare
Ish- drejtuesi i Policisë nga viti 1992- '97, depozitoi kërkesë padinë e tij në Gjykatën e Tiranës
TIRANË- Ish-zv/Ministri i Brendshëm dhe njëkohësisht ish- Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit në vitet 1992-'97, gjeneral Agim Shehu, tashmë me detyrën e drejtorit të investigimit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, kërkon nga Ministria e Brendshme gradën e "drejtuesit të parë" dhe të gjitha detyrimet financiare ndaj kësaj grade që nga viti 1997. Ky fakt konfirmohet nga burimet zyrtare pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet, ku përfaqësuesi ligjor i gjeneral Shehut ka depozituar një kërkesë padi civile "për refuzim miratim akti-administrativ". Me anë të kësaj kërkesë padie që mban numrin e regjistrimit 15277 ish-kryepolici Shehu ka paditur Ministrinë e Brendshme duke i kërkuar që t'i kthehet grada madhore "drejtues i parë", pagesën e të gjitha detyrimeve financiare që nga qershori i 1997 bashkë me fitimin e munguar si dhe njohjen si kohë pune të këtyre 12 viteve. "Padia civile me numrin e çështjes 15277 ka për objekt: detyrimin e të paditurit t'i japë paditësit gradën madhore "Drejtues i Parë". I padituri t'i paguajë të gjitha detyrimet paditësit dhe të gjitha përfitimet pasurore në përputhje me gradën që nga data 30 qershor 1997 dhe fitimin e munguar të përbërë nga interesat bankare. Si dhe të detyrojë paditurit t'i njohë paditësit këtë periudhë (12 vjeçare) si kohë pune e shërbim",-thuhet në kërkesë padinë që do të gjykohet nga gjyqtari Artan Zeneli, njëkohësisht kryetar i Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet. Kjo kërkesë e gjeneral Shehut ka ardhur vetëm pak kohë kur vendimi i kësaj Gjykate, që mban datën 5 nëntor 2007 dhe që tashmë ka marrë formën e prerë, ka vendosur t'i kthejë gradën e gjeneral-lejtnantit të hequr me dekret të Presidentit të Republikës në vitin 1998. Gjithashtu, po këtë vit edhe zyrtarët e Ministrisë së Brendshme i hoqën gradën e "drejtuesit të parë", për shkak të akuzës së "dezertimit të kuadrit komandues në situatën e gjendjes së jashtëzakonshme" të ngritur ndaj tij dhe për të cilën u dënua nga Gjykata e Apelit me 7 vite burg. Ky vendim i Apelit më 4 dhjetor të vitit 2006 është prishur nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, i cili me shumicë votash vendosi të shfuqizojë vendimin e dënimit dhe të pushojë akuzat ndaj tij, duke i hapur kështu rrugën e kthimit në Shqipëri pas 9 viteve në arrati. Me t'u kthyer në Shqipëri, gjeneral Shehu kërkoi nga Gjykata rikthimin e gradës së gjeneral-lejtnantit të hequr me dekret të Presidentit. Më 5 nëntor 2007, gjyqtarja Anila Ristani, pas disa seancave gjyqësore, ku Shehu paraqiti provat shkresore, me të cilat ka përfituar gradën dhe ka rrëzuar akuzat që i ishin bërë për "thyerje disipline" dhe "braktisje të detyrës". Prova e paraqitur nga gjeneral Shehu ishte një akt noterial i vitit 2004, ku ish-ministri i Brendshëm dhe ish-eprori i tij, Belul Çelo, pohonte se Agim Shehu kishte kërkuar dorëheqjen dhe se në datën e largimit, ditën e zgjedhjeve të përgjithshme të 30 qershorit 1997, ai ka qenë i liruar nga detyra. Ndërsa arratisjen e tij Shehu e ka mbrojtur duke pohuar se nëse do të kishte qëndruar, i rrezikohej jeta. Pas këtyre pretendimeve, gjyqtarja vendosi rikthimin e gradës së gjeneral-lejtnantit. Ky vendim shtyri Shehun të kërkojë edhe kthimin e gradës së "drejtuesit të parë" dhe të gjitha detyrimeve që nga koha e largimit të tij nga detyra e deri më sot. Pritet që gjyqtari Zeneli të caktojë seancën e parë gjyqësore për shqyrtimin e kësaj kërkesë padie ku e paditur është Ministria e Brendshme. Ndërkohë, Agim Shehu ishte një ndër figurat e akuzuara për ngjarjet e 1997 dhe një ndër personat më të lakuar në arenën politike si dhunues i të drejtave të njeriut dhe për mjaft akuza të ngjashme. Por ashtu si për shumë persona të tjerë, asnjë nga këto akuza nuk u vërtetua në gjykatë, ndërsa ato u përdorën vetëm në fjalime politike.