Mëhilli: Rama po i bën atentat shtypit
Partia Demokratike e akuzoi dje kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, se po ndërmerr një atentat të vërtetë ndaj shtypit të lirë në vend. Zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli, deklaroi se me një akt të pashembullt në historinë e pluralizmit ai po shfaq modelin e shtypit të presidiumit, duke iu referuar takimeve të fundit të Ramës me gazetarët. “Përfaqësuesit e mediave që i kontrollon 24 orë në 24 i detyroi të zënë vend në presidium pranë tij në vend të eksponentëve të Partisë Socialiste apo aleatëve të tij, ndërsa mediat e tjera, në trajtimin e tij cinik, i la në plate, duke iu dhënë përgjigje me ngërdheshje të denja vetëm për armiqtë e fjalës së lirë”, theksoi zëdhënësja e PD-së, Mëhilli. Sipas saj, PD-ja si themeluese e lirisë së mediave në Shqipëri dënon këtë qëndrim të pashembullt të Ramës, të diskriminimit ekstrem të mediave. “PD-ja gjithashtu u bën thirrje mediave të lira të mos pranojnë “kutizmin”, për interesa të ngushta të një njeriu që mburret se po lyen me bojë të zezë imazhin e vendit të tij”, deklaroi Mëhilli. Po ashtu, ajo e cilësoi Edi Ramën si piktori që po mburret këto ditë, sepse po nxin imazhin e vendit.
#