E Diel, 1 Nëntor 2026

Te Presidenti nuk shkohet me kushte!

Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, analizon situatën politike në Shqipëri dhe tryezën e dialogut

“Topi të përcaktojë qartë nëse ofron dot një strategji zgjidhjeje”
Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Besnik Mustafaj, tha se pozita dhe opozita në Shqipëri nuk duhet të vënë parakushte kur është fjala për zgjidhjen e ngërçit politik me anë të institucionit të Presidentit.
Zoti Mustafaj, duke qenë se palët i kanë të ngurtësuara qëndrimet e tyre te hapja ose moshapja e kutive të votimit, mendoni se ka pika të përbashkëta ku palët mund të bazohen për t’i çuar më tej negociatat...?
Së pari, unë nisem nga parimi se në qoftë se bëhet fjalë për politikë, politika gjithmonë ka rrugëzgjidhje. Vetëm në mungesë të politikës prodhohen ngërçet, pra unë pretendoj që edhe Kryeministri Berisha dhe zoti Rama sidomos, të bëjnë politikë, sepse politika i ka mundësitë gjithmonë të pashtershme, prandaj është politika në demokraci. Kështu që në këtë kuptim nuk jam pesimist për mundësitë në vetvete, shpeshherë bëhem pesimist për mundësitë që u japin protagonistët dhe kjo është një gjë që duhet mbajtur mirë parasysh.
Si do ta vlerësonit ju rolin e Presidentit në këtë drejtim? A është i vonuar ai në ndërhyrjen e tij, apo është pritur momenti i duhur?
Këtë vërejtje e ka bërë edhe ish-presidenti Meidani, dhe u çudita madje, si një shfaqje e vonuar gatishmërie nga Presidenti Topi. Presidenti Topi ka shfaqur gatishmërinë e tij për të luajtur rolin e ndërmjetësit dhe të bashkuesit për të dyja forcat politike të paktën ka dy muaj, dhe në atë kohë të gjithë i bënë vërejtje pse bëhesh si të thuash “krushk në një vend ku nuk ka dasmë”. Në këtë kuptim nuk mendoj se është i vonuar, mendoj se e ka shfaqur në kohë vullnetin e tij, tani po krijohen rrethanat, ku bëhet i domosdoshëm roli i tij; do më vinte mirë që të dëgjohej Presidenti Topi në momentin që ai shfaqi dëshirën të merrej seriozisht vullneti i tij, sepse do të ishte fituar kohë, por shqetësimi im kryesor në këtë moment është se unë shoh që te Presidenti Topi të dyja palët, qoftë Berisha me mazhorancën dhe sidomos Rama, shkojnë me kushte. Mendoj se Presidenti Topi është në pozitë të vështirë në këto rrethana, sepse ai gjendet i angazhuar për të zgjidhur një krizë, përballë dy protagonistësh të cilët i vënë kushte. Nuk shkohet te Presidenti me kushte! Presidenti duhet të përcaktojë qartë nëse është në gjendje të ofrojë një strategji zgjidhjeje dhe mbi bazën e strategjisë që ofron Presidenti duhet të diskutojnë! Në qoftë se njëra palë shkon me idenë “...gjithçka veç hapjes së kutive” dhe pala tjetër me idenë “...gjithçka fillon me hapjen e kutive”, nuk e kuptoj se ku do të jetë roli i Presidentit.
Ju keni qenë ministër i Punëve të Jashtme, si mendoni ju, sa ndikim do të ketë rrëzimi i marrëveshjes së ujërave nga Gjykata Kushtetuese, në marrëdhëniet e Greqisë me Shqipërinë?
Normalisht, nëse besojmë që Greqia është një shtet demokratik, rrëzimi i kësaj marrëveshje nuk do të ketë asnjë ndikim negativ, sepse është rrëzuar nga gjykata, nuk është rrëzuar nga një forcë politike, nuk u rrëzua nga qeveria, nuk u rrëzua nga ndonjë institucion i dorës së dytë. Në demokraci vetëm gjykata nuk vihet në dyshim! Deklarim i ministrit të Jashtëm Plotësues të Greqisë, në momentin e parë ishte se ata nuk japin gjykime mbi gjykatat, pra në këtë kuptim unë nuk shoh arsye parimore, arsye demokratike, arsye dhe të vullnetit të mirë që kjo gjë të ndikojë në marrëdhëniet midis dy palëve.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›