E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata liron Nikolin Cakon e "Go West"

I akuzuari si kreu i një grupi trafikantë klandestinësh ka përfituar nga mbarimi i afateve të paraburgimit


TIRANË- Një i arrestuar për trafik ndërkombëtar klandestinësh, i dënuar disa herë nga gjykatat e shkallëve të para dhe kthyer për gjykim nga Gjykata e Lartë ka lënë dje qelitë e burgut pasi i kanë mbaruar afatet e paraburgimit.

Bëhet fjalë për Nikolin Cakon, i njohur ndryshe si pronari i agjencisë turistike "Go West", që kundrejt pagesave të ndryshme kryente pajisjen me viza e pasaporta të 24 shteteve të botës. Shkaku i lirimit të tij, nga qelia e paraburgimit "Jordan Misja" është bërë përfundimi i afateve të paraburgimit prej tre vitesh.

Cako ka qëndruar në qeli me masën e sigurisë arrest me burg për tre vite e pesë muaj. Ndërsa, deri në një vendim të dytë të dënimit të tij në formë të prerë, i pandehuri do të qëndrojë në masën e sigurisë arrest shtëpie.

Kjo masë shtrënguese, sipas vendimit të gjykatës, do të kryhet nga vetë i pandehuri, pa qenë nevoja e ruajtjes së tij me efektivë të policisë në derën apo hyrjen e banesës së tij që ndodhet pranë lagjes "21 dhjetorit".

Sipas vendimit të gjykatës, arsyeja e mos ruajtjes së tij në banesë nga efektivët e policisë është sepse ai ka konsumuar të gjitha ditët e përcaktuara nga ligji për afatet e ditëve të hetimit dhe paraburgimit, duke qëndruar për 3 vite e 5 muaj në qeli.

Gjykata liroi dje edhe të pandehurin Edmond Bejko, një nga bashkëpunëtorët e Nikolin Cakos, që në emër të agjencisë së tij "Go West" siguronte për qytetarë të ndryshëm viza dhe pasaporta për 24 shtete të botës.

Sipas vendimit të gjykatës, për shuarjen e masës së sigurisë, edhe i pandehuri Bejko, ka përfunduar afatet e qëndrimit në paraburgim, duke ndenjur për tre vite e pesë muaj në qeli me masën e sigurisë arrest me burg. Që nga paraditja e djeshme, edhe Bejko do të qëndrojë në banesën e tij nën masën e sigurisë arrest shtëpie, pa efektivë të policisë tek dera.

Dosja penale e çështjes ndodhet në Gjykatën e Lartë. Në nëntor të vitit që shkoi ka qenë Gjykata e Apelit, ajo që ka vendosur të rikthejë dosjen penale me nëntë të pandehur:

Nikolin Cako, Avdi Leka, Edmond Bejko, Eljon Canka, Përparim Kateshi, Voltan Turtulli, Selman Murati, Altin Flamuri dhe Valbona Cako edhe njëherë për rigjykim për shkelje të procedurave penale. Institucioni i akuzës, pas këtij vendimi të rikthimit të dosjes edhe njëherë pranë Shkallës së Parë i është drejtuar Gjykatës së Lartë për tu shprehur në lidhje me akuzën grupit të strukturuar kriminal dhe dosja ndodhet në duart e gjyqtarëve të kësaj gjykate.

Sipas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të dhënë në qershor 2008, të nëntë të pandehurit janë deklaruar fajtorë për një numër jo të vogël akuzash të falsifikimit, që nga dokumentet zyrtare, pasaportat, vulat, dokumentet e gjendjes civile të gjitha këto në kuadër të grupit të strukturuar kriminal duke dënuar në total me 67 vjet burg e 65 milionë lekë të reja gjobë.

Sipas vendimit, ideatori dhe organizatori i këtij grupi të strukturuar kriminal është i pandehuri Nikolin Cako, pronari i agjencisë "Go West" që pajiste me viza dhe pasaporta të 24 shteteve të botës kundrejt shumave të ndryshme parash.


Klientët paguanin nga 10 deri në 16 mijë euro


TIRANË- Të pandehurit e kësaj çështje: Nikolin Cako, Avdi Leka, Edmond Bejko, Eljon Canka, Përparim Kateshi, Voltan Turtulli, Selman Murati, Altin Flamuri dhe Valbona Cako, kanë kryer në bashkëpunim me njëri-tjetrin por në role dhe kohë të ndryshme pajisjen me pasaporta e viza të falsifikuar dhe ndihmonin në kalimin e tyre jashtë Shqipërisë kundrejt pagesave të ndryshme.

Sipas hetimeve paraprake, i pandehuri Nikolin Canko ka qenë pronar i agjencisë së udhëtimeve "Go West", me vendndodhje te rruga e Durrësit, pranë bllokut të ambasadave në Tiranë.

Sipas Prokurorisë, Cako në bashkëpunim me të pandehurit e tjerë organizonte kalimin e paligjshëm të kufirit të shtetasve të ndryshëm, duke i pajisur me viza, dokumente te falsifikuara të 24 shteteve, kundrejt pagesës, në varësi të linjave të udhëtimit.

Po sipas Prokurorisë, në varësi të linjave të udhëtimit, të pandehurit u merrnin të interesuarve shuma që varionin nga 10 deri në 16 mijë euro. Arrestimi i tyre është kryer më 7 tetor 2005 në Tiranë, Korçë e Fier.

VENDIMI I PRISHUR


Nikolin Caka , 10 vjet dhe 8 milionë lekë gjobë
Eljano Cenko, 10 vjet dhe 8 milionë lekë gjobë
Altin Flamuri, 10 vjet dhe 8 milionë lekë gjobë
Edmond Bejko, 10 vjet dhe 800 mijë lekë gjobë
Avdi Leka, 6 vjet burg, 9 milionë lekë gjobë
Selman Murati, 6 vjet burg, 6 milionë lekë gjobë
Perparim Kateshi. 5 vjet dhe 6 milionë lekë gjobë
Voltan Turtulli, 5 vjet dhe 6 milionë lekë gjobë
Valbona Cako, 5 vjet dhe 6 milionë lekë gjobë

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›