E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mëhilli reagon ndaj PS-së

Tiranë-Partia Demokratike reagoi menjëherë pas deklaratës së Partisë Socialiste për vendimin e marrë nga qeveria për rritjen e pensioneve. Në një reagim, zëdhënësja Erla Mëhilli theksoi se rritja e ndërmarrë nga qeveria, është rritja më e madhe në historinë e vendit. “Vetëm pak orë pasi qeveria vendosi rritjen më të madhe të rrogave dhe pensioneve në historinë e vendit, me të cilën ajo realizon në 4 vjet, 2-fishimin e rrogave dhe pensioneve të mësuesve, infermierëve e mjekëve, realizon 2-fishimin e pensioneve në fshat dhe rritjen e tyre në qytet më shumë se 50%, Edi Rama me fushatën e tij të shpifjeve dhe trillimeve mashtron sot me gojën e një zëdhënësi fatkeq se çmimi i bukës është rritur 140% në një kohë kur në të gjitha dyqanet e Tiranës dhe mbarë vendit ajo blihet 660 lekë përafërsisht me çmim të njëjtë nga ç’blihej 4 vjet më parë”-theksoi zëdhënësja Mëhilli.

Ajo e ka vlerësuar si trillim, pretendimin se çmimi i energjisë është rritur me 140%, ndërsa ka shtuar se rritja e çmimit është kompensuar 100% për 300 kilovat orët e para. “Shqiptarët i kanë harruar prej kohësh ditët e gjata të territ gjatë qeverisjes së Partisë Socialiste, por Edi Rama dhe vartësit e tij kanë mbetur në errësirën e shpifjeve dhe mashtrimeve”-tha më tej zëdhënësja e selisë blu.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›