E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leskaj: Vendimi për aplikimin në BE i vonuar

28/04/2009  Reagon selia rozë një ditë pas vendimmarrjes nga qeveria shqiptare

PS kërkon respektimin e standardit kryesor: zhvillimi i zgjedhjeve të lira

Partia Socialiste përmes kryetares së grupit parlamentar Valentina Leskaj ka përshëndetur vendimin e qeverisë shqiptare për të paraqitur kërkesën për aplikimin për statusin e vendin kandidat në BE, por e ka cilësuar gjithashtu të vonuar. “Më në fund Sali Berisha ka bërë atë çka ne kemi sugjeruar e kërkuar që nga muaji shtator i vitit të kaluar. Është vonë, por më mirë vonë se kurrë. Në fakt, ai bëri nëntë muaj me vonesë atë që duhej ta kishte bërë më parë, pa pritur fushatën elektorale”, - tha Leskaj gjatë një konference për shtyp. Ajo përsëriti rëndësinë që kanë për përgjigjen e kësaj kërkese standardet që qeveria shqiptare duhet të përmbushë lidhur me procesin e ardhshëm zgjedhor. “Themelore për integrimin janë standardet, prova e parë janë zgjedhjet, garantimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme, si kushti i parë politik për një demokraci funksionale, si kriter i anëtarësimit në BE. Qeveria duhet të ofrojë gjitha garancitë për procesin, duke filluar nga dokumenti i identifikimit, kartat e identitetit dhe gjithë elementet e tjera”, - theksoi ajo. Në përfundim të deklaratës së shkurtër për shtyp numri një i parlamentarëve të PS-së, duke nënkuptuar se zgjedhjet e 28 qershorit do të fitohen nga e majta shqiptare, garantoi se pas fitores qeveria e re, e cila do të ketë në themel të programit të saj integrimin e vendit, do të marrë të gjitha masat dhe do të ketë angazhimin maksimal për ta bërë vendin tonë anëtar të BE-së, duke plotësuar kështu ëndrrën 18-vjeçare për ta bërë Shqipërinë si gjithë Evropa. Para katër muajve, në fund të janarit, Kuvendi i Shqipërisë miratoi me unanimitet projektrezolutën “Për aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në BE”. Ajo inkurajon qeverinë që në kohën e përshtatshme, në konsultim me vendet anëtare të BB-së, të paraqesë aplikimin e Shqipërisë për të kaluar si vend kandidat në këtë organizëm dhe të raportojë në Kuvend për ecurinë e negociatave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›