E Diel, 1 Nëntor 2026

Mehmet Shehu: “Komunizmi na rrezikohet nga brenda”

Autori i Lajmit: Androkli DraloTiranë, 7 korrik 1966 – Vendosja e titujve të lajmeve përmes fjalimeve politike është bërë një nga argëtimet e preferuara të kryeministrit shqiptar, Mehmet Shehu. Vizita në Kinën e Kuqe majin e kaluar dhe bashkimi me homologun e tij kinez, Çu En Lai, gjatë qëndrimit të tij të fundit treditor në Shqipëri në fund të qershorit kanë shtuar ndjeshëm numrin e fjalimeve publike të numrit 2 të Shqipërisë. Zotit Shehu iu dha edhe një herë tjetër mundësia gjatë fushatës zgjedhore aktuale në vend ku ai foli gjatë për problemet e sigurisë së brendshme të vendit. Në transmetimin e Radio Tiranës më 4 korrik, Shehu iu drejtua elektoratit si kandidat për deputet i Asamblesë Kombëtare nga zona elektorale e Tiranës. Në pjesën më të madhe të fjalimit të tij, Shehu shpalosi pothuajse të famshmen “Letër të Hapur” të 4 marsit. Ngjashmëria në përmbajtje e deklaratave të fundit politike me deklaratat që vijnë momentalisht nga aleati i largët i Shqipërisë, Kina, janë të pagabueshme. Mehmet Shehu nënvizon pa pushim faktin se masat antiburokratike të marra muajt e fundit në Shqipëri, të cilat duhet të pasohen nga të tjera, kanë për qëllim të parandalojnë skenarët e ngjashëm tragjikë që shoqëruan Bashkimin Sovjetik apo vende të tjera socialiste ku revizionistët kanë uzurpuar pushtetin. Sipas Shehut, masat radikale “revolucionare” të marra në Shqipëri që prej tetorit të fundit kanë shërbyer dhe do tu shërbejnë qëllimeve të mësipërme. Deri në njëfarë mase, çdokush është dakord me qëllimin e kryeministrit shqiptar në këtë pikë. Mund të kujtohet Deklarata e përbashkët kino-shqiptare e 11 Majit 1966, e cila i vuri një theks të madh rrezikut potencial të uzurpimit të pushtetit nga “elementët revizionistë”, të cilët do të përfaqësonin partitë marksiste-leniniste. Në lidhje me këtë, deklarata kino-shqiptare konstatoi si më poshtë: “Të dyja partitë konstatojnë se vendeve socialiste u mungon ende eksperienca e plotë dhe sistematike për të parandaluar lindjen e revizionizmit, rezultat i së cilës do të ishte vendosja e kapitalizmit... Detyra historike për krijimin e kësaj eksperience bie mbi shpatullat e marksistë-leninistëve të vërtetë të kohës tonë. Në këtë drejtim, Partia e Punës së Shqipërisë ka marrë masa të mëdha revolucionare, në përputhje me kushtet dhe rrethanat e cilitdo vend. Ata janë gjithashtu të vendosur që të japin një kontribut të madh drejt arritjes së këtij objektivi”. Kjo pikë në këtë deklaratë dhe të tjera të ngjashme, e bëjnë fare të qartë se në të dyja këto vende komuniste ka qëllime dhe sfond të njëjtë në zhvillimet e tanishme politiko-ideologjike, por me dallimin e vetëm se ato po zhvillohen sipas kushteve konkrete dhe rrethanave në secilin vend. Edhe pse deri tani Shqipëria nuk e ka zbuluar ekzistencën e trazirave të brendshme politike deri në pikën sa mund të krahasohet me Kinën e Kuqe, gjithsesi Shehu e bën të qartë se një situatë me rrezik të ngjashëm mund të ndodhë edhe në Shqipëri gjithashtu, nëse nuk merren masat parandaluese. Ai shpjegon se Partia e Punës së Shqipërisë po i jep rëndësi maksimale luftës kundër burokracisë, e cila, nëse do të lihet e paprekur, “mund të kontribuojë në lindjen e revizionizmit edhe në Shqipëri”. Ai u zgjerua në këtë pikë duke thënë se “njeriu nuk duhet të harrojë për asnjë moment se lindja e revizionizmit në Bashkimin Sovjetik dhe gjetkë nuk erdhi nga faktorët e jashtëm dhe as si rezultat i agresionit të jashtëm, por si pasojë e faktorëve të brendshëm... nga krijimi i një shtrese elementësh të privilegjuar mes të cilëve grupi kryesor përbëhej nga burokratët brenda shtetit dhe organikës së partisë”. Më pas Shehu arrin në përfundimin se Partia e Punës së Shqipërisë i qëndron idesë se “faktori i brendshëm është vendimtar për fatin e revolucionit dhe socializmit, ndërsa faktori i jashtëm është i një rëndësie sekondare”. Për një vend si Shqipëria, e cila gjatë gjithë periudhës së pasluftës ka shprehur frikë ksenofobie të një kërcënimi nga jashtë vendit, dhe thotë që rreziku kryesor vjen më shumë nga brenda sesa nga jashtë, është në të vërtetë diçka e re. Por cilat janë këto kërcënime, të cilave Shehu u referohet? Për ta nisur, ai përmend se rreziku kryesor vjen nga “grupet e privilegjuara” të popullit që formohen brenda partisë nga pagat e larta dhe pozicionet komode të punës. Më pas ai përsërit se PPSH-ja ka vendosur të reduktojë hendekun mes pagave të larta dhe të ulëta në një mënyrë “dialektike”, me qëllim që diferenca e të mirave materiale, mes masave dhe udhëheqjes, të “ulet akoma më tej deri në përmirësimin e standardeve të jetesës së popullit”. Përmes kësaj formule, udhëheqësit shqiptarë po përpiqen të vrasin dy zogj me një gur. Në njërën anë, ata po tentojnë të qetësojnë masat, duke u përpjekur që të reduktojnë dallimet mes qendrës dhe bazës, dhe nga ana tjetër po përpiqen të parandalojnë vendosjen e një fraksioni brenda udhëheqjes së partisë, i cili për shkak të pagesës së lartë dhe vendeve komode të punës, mund të krijojë një rrezik për një uzurpim revizionist. Një tjetër ilaç parandalues, të cilin kryeministrit i është dashur ta ofrojë, kishte të bënte me sjelljen e punëtorëve në punë. Duke iu referuar qartazi “mbështetjes së masave në punë”, Shehu deklaroi: “Puna fizike është i vetmi ilaç kurativ dhe efektiv për të shëruar sëmundjet që vijnë nga ndikimi i ideologjisë borgjeze... A ka ndonjë ilaç më të mirë sesa puna fizike për një punëtor zyre, i cili nuk e di ose e ka harruar se çështë prodhimi? Apo për një shkrimtar, idetë e të cilit për punën fizike janë krijuar në zyrën e tij? Apo për një artist apo aktor, i cili ka frikë se mos ndot këpucët e tij të lustruara, ndërsa ecën në rrugët e pashtruara? Apo për një student, i cili është mësuar të varet tek prindërit për gjithçka? Në opinionin e Shehut, për të zhdukur këto të ashtuquajtura sëmundje, është i nevojshëm një proces i gjatë dhe kompleks edukimi për masat dhe në veçanti brezin e ri. Përmes këtij procesi, u përmend se “populli dhe partia do të zhvillohen më tej, do të bëhet ndarja e posteve tona, masat punëtore të udhëhequra nga partia do të bëjnë përpara në rrugën drejt revolucionit dhe si pasojë do të shfaqen elementët armiqësorë, të cilët do të izolohen dhe më pas shtypen”. Zoti Shehu foli gjithashtu edhe për dy elementë, të cilët kërcënojnë status kuo-në në Shqipëri. I pari u referohej “klasave të rrëzuara shfrytëzuese, të cilat vazhdojnë të ushtrojnë ndikimin e tyre dhe ëndërrojnë të vendosin autoritetin kapitalist”. Elementi i dytë, sipas Shehut, janë “elementët armiqësorë, të cilët shfaqen nga radhët tona gjatë procesit të luftës së klasave”. Shehu rreshtoi në këtë kategori ata njerëz, të cilët “ndonjëherë vendosin interesat e tyre mbi interesat e mirëqenies së përgjithshme dhe dëgjojnë zërat e biznesmenëve dhe pronarëve të shpronësuar deri tek zërat e kishës dhe minareve e të atyre të revizionizmit dhe borgjezisë imperialiste. Shehu tregoi gjithashtu se lëvizja e “mbështetjes tek masat”, e cila nisi fill pas publikimit të “Letrës së Hapur”, nuk po ecte sipas parashikimeve të partisë. “Ka nga ata, të cilët në parim janë dakord me thirrjen e partisë për të shkuar atje ku nevojiten, por që në të vërtetë kur vjen koha për ta bërë diçka të tillë nxjerrin gjithfarë lloj justifikimesh të pabazuara për tu shfajësuar, si p.sh, gruaja ime është sëmurë, unë vuaj nga reumatizma, fëmija im i vogël shkon në shkollë etj”, - tha kryeministri. “Disa elementë mund të korrigjohen përmes metodës së bindjes, por për ata të pakorrigjueshmit do të përdoret dhe metoda e bindjes edhe ajo e përdorimit të forcës”, - përfundoi ai. Ka dy shpjegime për këtë gjerësi pikëpamjesh të Shehut për sa i përket çështjeve të ngritura përpara zonës së tij elektorale. Njëra është manovrimi i mirënjohur komunist i promovimit të histerisë së mundshme të ekzistencës së përhershme të kërcënimeve brenda dhe jashtë vendit dhe së dyti, udhëheqësit shqiptarë kanë në të vërtetë arsye për tu shqetësuar për kushtet politiko-ideologjike në vend. Shenja, që mbështesin një supozim të tillë tashmë janë shfaqur dhe në shtypin vendas.

Ky lajm është publikuar: 09/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›