E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarizohet Tus Koblenzi, Kapllani lojtari i 7-të

Autori i Lajmit: RedaksiaGjermani - Merr fund edhe “drama” e Edmond Kapllanit te Augsburgu. Sulmuesi 27-vjeçar durrsak do të luajë si i huazuar te Tus Koblenzi deri në fund të sezonit, më 30 qershor 2010, pasi kontrata me klubin e Augsuburgut që zotëron edhe kartonin e tij skadon, më 30 qershor të vitit 2011. Dy klubet nuk bënë të ditura detaje të kontratës së huazimit, por Kapllani merrte një shumë të kënaqshme financiare te Augsburgu. Klubi i Tus Koblenzit e priti me entuziazëm mbërritjen e sulmuesit shqiptar, madje në komunikatën zyrtare nuk ka lënë pa përmendur asgjë nga statistikat joshëse të sulmuesit durrsak, autor i 24 golave në 72 ndeshje ne Bundesligën 2, por dhe faktin tjetër se me Kombëtaren shqiptare ka luajtur 26 ndeshje (6 gola) duke qenë golashënuesi më i mirë i përfaqësueses sonë në kualifikueset e Kampionatit Evropian 2008 (5 gola). “Në vitin 2007, - shkruhet në faqen zyrtare të Koblenzit, - ai u zgjodh si lojtari i vitit, ndërkohë që në sezonin 2006-2007, Kapllani ishte te Karlsruhe me 17 golat e tij golashënuesi më i mirë i Bundesligës 2”. Te skuadra gjermane e Bundesligës 2, ish-sulmuesi i Karlsruhes do të jetë shqiptari i shtatë, pas Ervin Skelës, Shefki Kuqit, Njazi Kuqit, Shqipran Skerajt, Renaldo Ramës dhe Aljmir Muratit, duke krijuar një “koloni” të vërtetë shqipfolëse në atë skuadër. Tus Koblenz do të jetë skuadra e tretë e Edmond Kapllanit në Gjermani, pas Karlsruhes dhe Augsburgut. Në Shqipëri, sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka luajtur me Partizanin e Besën, nga dhe ku u transferua te Karlsruhe në Gjermani me ndërmjetësimin e ish-trajnerit të Kombëtares shqiptare, gjermanit Hans-Peter Brigel, në shumën e 250 mijë eurove. Gjithsesi, Kapllani ka dhe një eksperiencë të shkurtër në Kroaci në radhët e Rijekës, kur luajti si i huazuar nga Partizani. Edmond Kapllani u transferua gjatë merkatos së verës së kaluar në parametra zero nga Karlsruhe (e rrëzuar në Bundesliga 2) te Augsburgu (po Bundesliga 2) me synimin për të gjetur më shumë hapësirë dhe sigurisht për ti dhënë fund thatësirës së golave gjatë dy sezoneve në Bundesliga 1 (2 gola). Durrsaku pas një fillimi premtues gjatë ndeshjeve miqësore, me përjashtim të javës së parë të Bundesligës 2, kur luajti 62 minuta jo të mira në ndeshjen kundër Energi Kotbusit (ish-skuadër e Skelës), nuk arriti të bindë trajnerin Jos Luhakay, që për hir të së vërtetës mbajti një qëndrim tejet të ashpër ndaj sulmuesit shqiptar, duke i dhënë vetëm një mundësi të dytë, me përjashtim të takimit kundër Alemania Ahen, por dhe në atë përballje luajti vetëm 19 minuta. Fati i keq e ndoqi dhe në Kupën e Gjermanisë, kur luajti vetëm 12 minuta kundër Duisburgut. Trajneri i Augsburgut gjithmonë e kishte përmendur se Kapllani nuk ishte më në planet e tij. Tus Koblenz ndodhet në një pozitë të vështirë në përfundim të fazës së parë, duke u renditur në vendin e parafundit, të 17-in, nga 18 skuadra që ka Bundesliga 2, me vetëm 12 pikë pas 17 ndeshjesh. Edhe takimin e fundit të vitit 2009, Tus Koblenz e humbi në shtëpi me FSV Frankfurtin (0-1), me një gol të realizuar pikërisht nga tiranasi me pasaportë gjermane Jurgen Gjasula. Kapllani ka një përvojë të madhe në Gjermani, pasi është në sezonin e tij të gjashtë, teksa pritet që të jetë dhe një alternativë zëvendësuese e sulmuesit Shefki Kuqi, ky i fundit preferohet nga skuadra uellsiane e Kategorisë së Dytë në Angli, Svansea Siti. Ndeshja e parë e Tus Koblenzit është ajo kundër TSV Munchen, dhe Kapllani ka mundësi të aktivizohet qysh në atë ndeshje. Bashkë me Emdondin te Koblenzi mbërriti, si i huazuar, edhe Andreas Glokner nga Frajburgu.

Ky lajm është publikuar: 08/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›