Vau i Dejës, asnjë rrezik për shpërthim
Autori i Lajmit: Denisa Kona
Rruga drejt Vaut të Dejës në të dyja anët e saj fikson pamjet e fshatrave të përmbytur. Sa më tepër që i afrohemi, aq më të mëdha bëhen njollat e ujit dhe gjithnjë e më thellë zhyten pemët. Tashmë këtu as që bëhet fjalë për të mbjellat që kanë mbetur shumë kilometra pas. Në dalje të Lezhës ende syri të zinte parcela të gjelbra, fusha me lakra të kalbura që tregonin se ato sipërfaqe ditë më parë kishin qenë të mbuluara, por që tashmë uji i kishte lëshuar.
..Rruga që bigëzohet në të dy krahët e hidorcentralit të Vaut, është e lirë, por siç na tregojnë punëtorët e njërit prej dy stacioneve të pompimit të hidrocentralit, këtu dy ditë më parë, rruga ka qenë krejtësisht e mbuluar nga uji dhe shtëpitë e fshatit Laç, tashmë krejtësisht të braktisura, ishin edhe më të fundosura. Por megjithatë, natën e kaluar këtu uji kishte patur sërish rritje të nivelit të tij deri në një metër e gjysmë. Hapja e njërës prej portave të shkarkimit të digës, kishte sjellë rritjen e kuotës së ujit. Ndërsa, duke iu afruar Shkodrës, ujërat as që kanë lëshuar asnjë pëllëmbë. Përkundrazi: Banorë dhe forca të ushtrisë na tregojnë se ditën e sotme (domethënë e premte) thellësia është rritur me 50 centimetra në dalje të Shkodrës, fshatin Bërdicë e Sipërme. Deri këtu arrin edhe makina jonë, pastaj rruga automobilistike humbet nën ujë. Policët e qarkullimit orientojnë makinat për të kaluar nga hyrja tjetër për në qytet.
Kthehemi sërish në Vaun e Dejës. Këtu ditën e sotme (e djeshme) do të mblidhej grupi i specialistëve të ardhur nga Tirana për të parë gjendjen e digës. Ndërmarrja e hidrocentralit që ka kaluar në gjendjen e masave të jashtëzakonshme të sigurisë ka përforcuar kontrollet në hyrje. Nuk lejohemi të hyjmë dhe takimi me drejtorin është krejtësisht i pamundur. Na thonë se është nisur në mbledhjen e jashtëzakonshme drejt Shkodrës, ku do të asistonte edhe kryeministri. “Informacionin mund të merrni veëm përmes zyrës së shtypit të KESH-it,- na thotë kryeinxhinieri i Vaut të Dejës. -Ne jemi vetëm një filial periferik dhe nuk kemi asnjë të drejtë të lëshojmë informacion. Por mund të them vetëm kaq, që gjendjen e kemi nën kontroll”, shprehet ai. Edhe një prej specialistëve që ishte në grupin e inspektimit, na tha në linjë telefonike, se njerëzit duhet të rrinë të qetë, nga Vau i Dejës nuk vjen asnjë rrezik dhe gjendja po menaxhohet me kujdesin maksimal. Më e madhja ka kaluar,- tashmë,- shprehet specialisti.”
Megjithatë, përfitojmë nga rasti të fiksojmë në aparatin tonë pamjen e tri portave të hidrocentralit, të cilat prej shumë kohësh nuk ishin hapur, por që prej 3 ditësh kanë filluar shkarkimet e pjesëshme. Njëra nga portat vazhdon të qëndrojë e mbyllur dhe një tjetër fare pak e hapur, dhe kjo do të thotë se është menduar një shkarkim gradual për uljen e nivelit të ujit në digë, duke patur nën kujdes zonat përreth të banuara. Megjithatë, edhe natën e mbrëmshme niveli ka pësuar rritje në kuotën 1.5 metra.
Një tjetër rrugë e pasme të çon në zemër të hidrocentralit, aty ku valët e mjegulluara të ujit përplasen në faqet shkëmbore të malit me një fuqi e rrapëllimë të frikshme, që njerëzit e këtyre anëve nuk e kanë parë kurrë. Një grup adoleshentësh guxojnë të marrin rrugën e mjegulluar nga stërkalat e ujit. Afrohemi atje ku zërat tanë i mbyt uturima e valëve. Dikush na thotë se nuk duhet të qëndrojmë më aty, pasi ka rrezik. Edhe grupi i të rinjve largohen nxitimthi. Duket sikur ujërat e egërsuara nga çasti në çast mund të brofin drejt nesh. Kthehemi nga e vetmja rrugë e ngushtë, vetëm pak metra nga gjuhët e dallgëve që shkrofëtijnë si në një film të frikshëm. Nga ana e parme e digës, pamja duket tjetër, e normalizuar. Banorët e zonës nuk rreshtin së ardhuri aty. Kërkojnë të dinë se çfarë do të ndodhë, a është e sigurt diga, Njëri prej tyre na thotë se këtu askush nuk u thotë gjë, edhe pse janë në vendngjarje dhe çdo parashikim dhe informacion për gjendjen e hidrocentraleve, e marrin vetëm përmes televizorit. E lëmë pas Vaun me ujërat, qiellin dhe malet gri si dhe njerëzit me çizme llastiku, me urimin që rreshjet e parashikuara të jenë sa më të vogla dhe ujërat të kthehen sërish në shtratin e tyre.
Ky lajm është publikuar: 09/01/2010