E Diel, 1 Nëntor 2026

Mehmet Xhelili: Gjashtë personazhe kërkojnë autor, një vepër e fuqishme që prek plagët e shoqërisë

Luigi Pirandelo vjen në Teatrin Kombëtar me tragjikomedinë më të njohur të tij

Teatri Kombëtar vijon të sjellë në skenën e tij kryevepra të autorëve të njohur botërorë. Në vijim të sezonit artistik në skenën e TK vjen tragjikomediaGjashtë personazhe kërkojnë autor, e cila sonte ngjitet në skenën teatrore, për të vijuar dhe gjatë fundjavës. Vepra, e cila mban firmën e dramaturgut të njohur italian Luigi Pirandelo ngjitet sonte në skenë me regji nga Mehmet Xhelili.

Drejtori i Teatrit Kombëtar z. Kristaq Skrami pohon se kjo është një nga veprat e rëndësishme që vjen në skenën teatrore. Premiera re Gjashtë personazhe kërkojnë autor, i takon veprave dhe vlerave të mirëfillta të dramaturgjisë botërore dhe një nga këta është dhe Luigi Pirandelo. Kjo vepër vjen në skenë dhe falë bashkëpunimit me Institutin Italian të Kulturës në vendin tonë, cilëson ndër të tjera Skrami, duke shtuar s kjo vepër ngjit në skenë disa nga aktorët më të mirë të teatrit. Ndërsa regjisori Mehmet Xhelili shprehu se kjo vepër do të japi një emocion të veçantë për publikun, sepse vepra në thelb ka një forcë tërheqëse, ka një histori të bukur, një subjekt të bukur, ka një gjuhë, ka një problematikë, etj. Vepra e Pirandelos Gjashtë personazhe kërkojnë autor, më mirë se çdo vepër tjetër mund ti konvertoj këto paralele, të jetë një vepër e fuqishme që plotëson fuqishëm regjisorin dhe publikun. Vepra e Pirandelos është një vepër që e ndërron këtë teatër dhe do të jetë një kontribut i madh në rritjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të tij ashtu sikundër ka pasur dhe një ndikim të jashtëzakonshëm edhe në teatrin evropian. Kam besim të plotë që kjo vepër, duke u mbështetur edhe te trupa realizuese e saj do të arrij të vij me tërë forcën e saj edhe për publikun shqiptar. Ndërsa për sa i përket qasjes regjisoriale vepra do të vijë fuqishëm, pasi ka një subjekt interesant, dhe mbi të gjitha ka një pikë shikimi origjinal, u shpreh regjisori Xhelili. Sa i takon mesazhit që sjell vepra regjisori pohon se: Gjashtë personazhe kërkojnë autor është një vepër që pasqyron fuqishëm natyrën tragjikomike të ekzistencës sonë dhe dhimbjen e të ekzistuarit. Por ajo është edhe një dramë e fuqishme sociale, që ve gishtin në plagë të tilla si degradimi i familjes, varfëria, prostitucioni. Realizimi i Gjashtë personazhe kërkojnë autor në Teatrin Kombëtar, i ka të gjitha gjasat të kthehet, jo vetëm në një ngjarje të rëndësishme kulturore kombëtare, por edhe në një diskutim të hapur artistik, në kohën dhe vendin e duhur, mbi problemet që kalon prej shumë dekadash, shoqëria jonë, por edhe teatri dhe publiku shqiptar. Vepra do të interpretohet nga një kastë e njohur aktorësh. Fatos Sela, Eftjola Laçka, Olta Daku, Marjeta Ljarja, Dritan Boriçi, Suela Konjari, Flaura Kureta, Fadil Kujovsa, Sokol Angjeli, Devis Muka, Merkur Bozgo, Erin Kujovsa, Dea Xhelili, Klodian Hoxha, Elida Janushi, Dasara Xhangolli, Arjeta Dhima. Skenografia nga Genc Shkodrani, kostumografia Anila Zajmi Katanolli, as regjisore Flaura Kureta, përktheu Donika Omari, koreografe Kozeta Bakiu. Gjashtë personazhe kërkojnë autor (1921), është një nga veprat më të rëndësishme të dramaturgjisë botërore të shekullit të njëzet. Në të është përmbledhur gjithë gjenia krijuese dhe pasioni i madh për teatrin i një prej fituesve të çmimit Nobel, shkrimtarit dhe dramaturgut italian Luigi Pirandelo. Subjekti i saj mbështetet në një gjetje të mrekullueshme, sa të çuditshme e spektakolare, aq edhe tronditëse e emocionante, sa tragjike, aq edhe komike. Në të trajtohet një gamë e gjerë problemesh të karakterit psikologjik, social, filozofik dhe universal.


Çfarë ndodh në tragjikomedinë e Pirandelos?
Subjekti vendoset në skenën e një teatri ku një trupë aktorësh janë duke bërë prova në një ditë të zakonshme, shfaqen nga kushedi se ku, gjashtë personazhe. Kur regjisorja i pyet se përse kanë ardhur, ata i përgjigjen se kërkojnë një autor, sepse, një autor tjetër, pasi i ka krijuar në fantazinë e tij , i ka refuzuar dhe nuk i ka futur në botën e artit. Një përgjigje e tillë shkakton të qeshura tek aktorët dhe regjisorja. Pas këtij reagimi, personazhet përgjigjen të fyer dhe të prekur se ata mbartin një dramë tepër të dhimbshme që ata e kanë brenda vetes dhe e vuajnë, një dramë që merr frymë, flet, lëviz vetë dhe prandaj këmbëngulin që të shfaqet në skenë. Drama e tyre ka në qendër një familje të shkatërruar: Babai, Thjeshtra, Nëna, Biri,  Vogëlushja dhe Djaloshi; është një familje e ngatërruar në një histori tepër tronditëse. Rezultati që përftohet në përpjekje për të vënë në skenë këtë dramë është një përzierje e tragjikes me komiken, e fantastikes me realisten, një situatë humoristike, tepër e veçantë dhe komplekse.  Dramën e përmban historia që rrëfehet nga vetë personazhet pjesëmarrës, kurse, komedia vjen nga përpjekja e kotë që kjo dramë të mund të realizohet në skenë sepse personazhet nuk bien dakord me aktorët dhe, madje përfshihen në një konflikt me kthesa humoristike se kush janë më të rëndësishëm, ata, personazhet, apo njerëzit e gjallë. Gjashtë personazhe kërkojnë autor është një vepër që pasqyron fuqishëm natyrën tragjikomike të ekzistencës sonë dhe dhimbjen e të ekzistuarit. Por ajo është edhe një dramë e fuqishme sociale që ve gishtin në plagë të tilla si degradimi i familjes, varfëria, prostitucioni, etj. Ajo është gjithashtu një dramë që pasqyron poetikën e teatrit, e këtij tempulli të shenjtë, i kësaj kutie magjike ku buron pasioni dhe dashuria, ku zbulohet misteri i ekzistencës, por edhe zbavitja dhe spektakli.


Nga Julia Vrapi

Last Updated on E Enjte, 08 Prill 2010 18:51

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›