Shaqiri: Mos më krahasoni me Riberyn

Futbollisti i Bayern Munichut, Xherdan Shaqiri thotë se nuk i pëlqen ta krahasojnë me shokun e skuadrës Franck Ribery apo me ndonjë lojtar tjetër, derisa ai po vazhdon ta ndërtojë emrin e tij në sezonin e zjarrtë në Gjermani.
“Në fushë mund të mësoj shumë nga ai. Pa dyshim, ai është unik. Këtë e pëlqej shumë dhe mësoj shumë nga ai. Mirëpo, në përgjithësi nuk më pëlqen të krahasohem me të tjerët. Unë jam vetvetja dhe jo Ribery apo dikush tjetër”, ka thënë 21 vjeçari për tabloidin gjerman Bild.
Mesfushori kosovar e ka fituar tri herë titullin e kampionit në Zvicër me Baselin, ndërsa tash shpreson ta bëjë një gjë të tillë edhe me Bayernin, me të cilin e ka filluar sezonin në mënyrë perfekte, duke e lënë prapa 15 pikë kampionin aktual Borussia Dortmund.
“Distanca është e lartë. E pëlqej faktin që Dortmundin e shohim poshtë. Mirëpo, kanë mbetur edhe shumë ndeshje dhe shkëputja aktuale nuk është e mjaftueshme. Ne e kemi të obliguar të fitojmë tituj. Përpos Dortmundit, aty janë edhe Frankfurti dhe Schalke, që janë të fortë”, vazhdoi gjilanasi.
Shaqiri i ka kushtuar 12 milionë euro Bayernit. Ai shpreson që ta arsyetojë këtë shumë. “Shpresoj që po. Mendoj se deri tash janë të kënaqur me mua. Edhe unë jam i lumtur këtu. Trajneri Jupp Heynckes më ka dhënë minutazh të mirë”, shtoi ai.
Shaqiri siguron se nuk shkon asnjëherë në palestër dhe se muskujt i ka natyralë, ashtu siç i kishte dikur edhe babai i tij. I pyetur rreth gjestit të selektorit Ottmar Hitzfeld, i cili e nxori gishtin e mesëm në ndeshjen e fundit të Zvicrës, Shaqiri thotë se nuk e arsyeton këtë, por garanton se ai nuk ishte në drejtim të gjyqtarit.