E Shtunë, 31 Tetor 2026

Strasburgu nis në Tiranë Komitetin e Presidentëve

Autori i Lajmit: RedaksiaAsambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës do të dërgojë delegacionin e saj në Tiranë në fillim të muajit shkurt. Vendimi është marrë në kuadër të rezolutës që u miratua vetëm tri ditë më parë në lidhje me situatën politike në Shqipëri. Komiteti i presidentëve dhe dy bashkë-raportuesit e komisionit të monitorimit do të zhvillojnë takime me kryeministrin Sali Berisha, kreun e opozitës Edi Rama dhe me Presidentin Bamir Topi.
Aktualisht, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka pranuar hetimin e zgjedhjeve, por pa hapur kutitë e votimit. Me 86 vota pro, 6 kundër dhe 2 abstenim, Asambleja ka miratuar projekt rezolutën e hartuar nga dy raportuesit, Jako Laasko dhe David Ëilshire. Por në draftin përfundimtar u pranua një amendament e delegacionit shqiptar, sipas të cilit hetimi i zgjedhjeve të bëhet përmes një komisioni hetimor ku të njihet vendimi i gjykatave. Ky propozim u kundërshtua fillimisht nga raporterët, por u pranua pas votimit nga seanca parlamentare. 50 anëtarë të Asamblesë, të cilët morën pjesë në votim, mbështetën amendamentin e Rusmalit, kundrejt 43 anëtarëve që votuan kundër tij. Në të njëjtën kohë Këshilli i Evropës pranon krizën politike në vend, teksa i bën thirrje qeverisë të ngrejë sa më shpejt një komision hetimor për hetimin e zgjedhjeve dhe opozitës të kthehet në Parlament. Në përfundim të seancës parlamentare, në një deklaratë për mediat, Këshilli i Evropës i kërkoi Komitetit të saj Presidencial, Komitetit të Monitorimit dhe dy raporterëve, për të vizituar Shqipërinë sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që të ndihmojnë rivendosjen e dialogut politik. “Kriza politike ka dëmtuar rëndë politikën shqiptare pas zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2009, me Partinë Socialiste në opozitë, që ka bojkotuar Parlamentin dhe kontestuar legjitimitetin politik të maxhorancës qeverisëse”, thuhet në deklaratën përfundimtare. Për ti dhënë fund bllokimit politik, Asambleja i bëri thirrje Qeverisë shqiptare për të ngritur, pa vonesa të mëtejshme, një komision parlamentar për hetimin e zgjedhjeve. Në të njëjtën kohë “Asambleja ndjen keqardhje se mungesa e dialogut parlamentar e ka bllokuar procesin e reformave, për miratimin e të cilave duhen 3/5 e votave dhe shumica nuk i ka, por i kërkon opozitës që të kthehen në Parlament dhe të marrë pjesë plotësisht në punën e saj”. Në projekt rezolutën e miratuar dje, ndër të tjera thuhet se nga mungesa e PS-së në Kuvend është bllokuar edhe përbërja e delegacionit shqiptar, që do të shkojë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Asambleja e KE-së shprehet e gatshme për të organizuar një forum, që në bashkëpunim me organizatat e tjera ndërkombëtare të gjejë zgjidhjen e krizës.

Diskutimet në seancë

Renato Farina (përfaqësues i djathtë): Është përgjegjësi e KiE-së të ndihmojë Shqipërinë. PS e Edi Ramës kërkon të marrë atë që populli i mohoi. Shqipëria ka bërë përparim jo vetëm në procesin e votimit, por edhe të numërimit të votave. Dialogu për zgjedhjet nga zoti Berisha ekziston. Është e rëndësishme që të pranohen amendamentet. Kriza në Shqipëri është e kufizuar në pallatin e politikës. Në protestën e fundit, Rama nuk arriti të nxirrte në rrugë të gjithë mbështetësit.

Andreas Gross (përfaqësues i majtë): Në një proces zgjedhor humbësi duhet të kuptojë që është humbës. Kriza sot është e justifikuar. Ne duhet të bindim për një kompromis mes fituesve dhe humbësve.

Andrej Zernovski (përfaqësues i djathtë): Zgjedhjet i përmbushën shumicën e standardeve. Përpjekje të tjera duhen bërë që Shqipëria të përmbushë të gjitha standardet. Dialogu është përkeqësuar, ai duhet të bëhet brenda Parlamentit. Bojkoti nuk e ndihmon procesin e integrimit të Shqipërisë.

Tiny Kox (përfaqësues i majtë): Duhet ndihmuar në kalimin e krizës. Funksionimi i institucioneve demokratike është përgjegjësi e Qeverisë. Pavarësisht se i kuptoj ankesat e opozitës, ne nuk mund ta pranojmë bojkotin. E kuptojmë problemin tuaj, por stop bojkotit të Kuvendit. Ne mbështetim Presidentin Topi, për të negociuar një marrëveshje.

Egidijus Vareikis (përfaqësues i djathtë): Shqipëria bëri progres të konsiderueshëm në zgjedhjet e 28 qershorit të vitit të kaluar. Raporti i OSBE/ODIHR-it thotë se nuk kishte prova për manipulimin e zgjedhjeve.

Dik Marty (aleanca liberale): Nuk mund të flasim për krizë, por për një krizë të vërtetë. Asambleja duhet të ndihmojë Shqipërinë, por janë politikanët që duhet të zgjidhin krizën.

Ky lajm është publikuar: 31/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›