Meksi bashkohet me Polin e Lirisë, ja programi
Ish-Kryeministri tregon arsyet e bashkimit me Polin e Lirisë. Shpall shtyllat kryesore të programit.
TIRANË- Ish-Kryeministri i qeverisjes së parë të PD-së, Aleksandër Meksi, pas një periudhe të gjatë shkëputjeje, i është rikthyer sërish politikës. Jo më në PD, por përkrah kryetarit të LZHK-së, Dashamir Shehit, dhe kryetarit të PDK-së, Nard Ndokës, që janë pjesë e Polit të Lirisë, Meksi ka deklaruar dje se, përfshirja e tij në politikë kishte si synim rikrijimin e ëndrrës së dhjetorit.
"U ngritëm në dhjetor të gjithë për liri e demokraci e për ta bërë Shqipërinë si Evropa. Shumë rrugë dhe ndryshime tejet të mëdha janë bërë qysh atëherë, me vështirësi dhe sakrifica, por shumë ka mbetur ende për t'u korrigjuar, sepse shohim që mungon vullneti politik që të bëhen si duhet.
Përfshirja ime sot në politikën aktive me ju miq të mi të vjetër, bëhet pikërisht për të rikrijuar ëndrrën tonë të dhjetorit, një parti evropiane, shtëpi e të gjithë demokratëve dhe antikomunistëve shqiptarë, jo vetëm të një klani dhe rrethit të tyre miqësor e klientelist, të bashkuar "pa dallim ideje",- tha dje Meksi.
Duke njohur nevojat e vendit, Meksi tha se do të punohet për zbatimin e një programi ku, sipas tij, do t'u jepet zgjidhje "problemeve ekonomike: zhvillimit të vendit, uljes së varfërisë, kthimit tek puna, zgjidhja përfundimtare e problemeve të zvarritura si ato të dëmshpërblimit të ish-përndjekurve politikë dhe kthimit dhe kompensimit të pronave, mbrojtjes sociale të të varfërve dhe atyre në nevojë, krijimit të një sistemi fiskal të qëndrueshëm si ai i vendeve evropiane e jo një sajesë "specifike" shqiptare".
Meksi theksoi se do të zhvillohet një luftë e pandërprerë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar me ligje bashkëkohore, që sot, sipas tij, janë deformuar në fushën e prokurimeve, koncesioneve dhe kontrollit të pasurisë, së bashku me konfliktin e interesit e nepotizmin. Ai tha se do të punohet për reformën në drejtësi dhe atë të institucioneve, duke shmangur strukturat paralele, mbi bazën e modeleve të vendeve demokratike Perëndimore.
"Përparësi të programit tonë të përbashkët dhe të partive të koalicionit do të jenë fusha të tilla jetike për të sotmen dhe për të ardhmen e vendit: arsimi, shëndetësia, mjedisi, punësimi, bujqësia, investimet publike (rrugë, ujësjellës, kanalizime, energji, etj.); politika sociale: pensionet, rrogat, ndihma sociale; lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar për të vendosur realisht rendin dhe sigurimin e të drejtave të individit, privatësisë dhe, mbi të gjitha, përpjekjet për të shpejtuar integrimin në Evropë dhe lëvizjen e lirë të njerëzve.
Dhe këtu është fjala për programe konkrete dhe jo me copy-paste të strategjive të institucioneve ndërkombëtare",- tha ai. Meksi theksoi gjithashtu se do të reformohet sistemi fiskal sipas përvojës evropiane. Aleksandër Meksi do të drejtojë Polin e Lirisë, ndërkohë që është i pari në listën e deputetëve për LZHK-në në Tiranë.