E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama takime në Vlorë

Vlorë -Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama është ndaluar në Novoselë të Vlorës, në prezantimin e programit të saj qeverisës, ku ka premtuar ulje të kostove të prodhimit, teknologji të reja dhe heqjen e akcizës së naftës. Rama dhe drejtuesit e lartë të PS që e shoqëronin në Novoselë, janë shprehur se me programin e ri të socialistëve do të ketë ritme të reja të rritjes në fshat. Zhvillimi nuk do të jetë më i pa balancuar, por përkundrazi, do të synohet një zhvillim harmonik, në mënyrë që të mos thellohet më tej pabarazia sociale.

“Do të ulim edhe koston tërësore të prodhimit, duke nxitur përmes mbështetjes financiare rritjen e njësive të prodhimit dhe njëkohësisht, duke nxitur me politika të reja, edhe përmirësimin e teknologjive të prodhimit”-theksoi Rama. Rama në Novoselë ka ripërsëritur dhe heqjen e akcizës së naftës duke rikujtuar edhe premtimet e pa mbajtura të kryeministrit aktual.

“Sali Berisha në vitin 2005, mori shumë vota në fshat, duke ngritur zërin në kupë të qiellit për çmimin e naftës, që atëherë ishte 600 lekë dhe për Sali Berishën ishte shumë i lartë. Ai premtoi, se me të marrë votën tuaj, do ta bënte 400 lekë çmimin e naftës. Dhe ajo që ndodhi, siç ndodhë me të gjitha premtimet e Sali Berishës, ishte që jo vetëm nafta nuk zbriti, por përkundrazi çmimi i saj u dyfishua e u trefishua, dhe ju mbetët në mes të katër rrugëve. Unë e ndiej pamundësinë tuaj dhe për këtë arsye, do ta ulim çmimin e naftës për fshatin, duke hequr akcizën.”-tha më tej kreu socialist.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›