E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meksi, thirrje demokratëve të braktisin PD-në të bashkohen me LZHK-në

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Rikthimi në politikë

Ish-kryeministri i Shqipërisë 1992-1996, Aleksandër Meksi, pjesë e strukturave të Partisë Demokratike të këtyre viteve u ka bërë thirrje të gjithë demokratëve të vërtetë dhe atyre që nuk janë dakord me politikën dhe funksionimin e Partisë Demokratike dhe liderit të saj, t i bashkohen LZHK-së dhe Polit të Lirisë , ku do të gjejnë të gjithë hapësirën për t u angazhuar në politikë me të drejta të barabarta. “Poli i Lirisë është i hapur për të gjithë dhe i bëjmë thirrje kujtdo që dëshiron të angazhohet të vijë. Është i mirëpritur, sa më shumë të jenë, aq më mirë është, nëse duam të ndryshojmë dhe nëse duam të bëhemi një vend realisht demokratik dhe të shkojmë më shpejt në Evropë”, - tha Meksi. Ish-kryeministri pohoi për mediat se do të kandidojë për deputet nën siglën e LZHK-së së Dashamir Shehit. Në një konferencë për shtyp edhe në prani të Kryetarit të Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, dhe Kryetarit të Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, Meksi vlerësoi se “sot demokracia është në udhëkryq, ndaj këto çaste janë vendimtare për demokracinë”. Meksi tha se “anëtarët e grupimit të djathtë Poli i Lirisë janë të angazhuar për të sjellë vlerat e munguara të demokracisë në vend. Do të punojmë që në vend t u jepet fund problemeve ekonomike, të kompensohen ish-të përndjekurit politikë, të bëjmë kthimin dhe kompensimin e pronave të ish-pronarëve dhe, mbi të gjitha, të punësojmë shqiptarët”.
Politika e sotme si krerët e komunizmit në `90
Meksi, ndër të tjera, në fjalën e tij nënvizoi duke thënë se “demokracia shqiptare ndodhet sot në udhëkryqin e pseudopluralizmit “të gjithë të njëjtë”, që është realiteti i mohimit të pluralizmit, duke na rekomanduar që të bashkohemi të gjithë për të ardhmen e Shqipërisë, njësoj si flisnin krerët e komunizmit në dhjetor të `90-ës. Sot po ballafaqohemi me mohimin e mendimit ndryshe dhe institucionalizimit të tij, dhe deri korrenteve, i përfaqësimit në struktura e kudo sipas parimit një anëtar një votë , me mohim të demokracisë. Të tilla rrethana politike e sociale kërkojnë angazhimin e të gjithëve në politikë, në jetën e përbashkët, me aq sa janë forcat dhe mundësitë e secilit prej nesh. Shqipëria sot më shumë se kurdoherë ka nevojë për angazhimin e të gjithëve për të siguruar demokracinë dhe lirinë, për të siguruar reformimin demokratik dhe ekonomik e për të mundësuar integrimin aq të dëshiruar nga të gjithë ne në Evropën e Bashkuar.
Arsyet e rikthimit
Në një kuadër të tillë duhet kuptuar edhe kjo përfshirja ime në politikën aktive. U ngritëm në dhjetor të gjithë për liri dhe demokraci e për ta bërë Shqipërinë si Evropa. Shumë rrugë dhe ndryshime tejet të mëdha janë bërë qysh atëherë, me vështirësi dhe sakrifica, por shumë ka mbetur për t u korrigjuar, sepse shohim që mungon vullneti politik që të bëhen siç duhet. Përfshirja ime sot në politikën aktive bëhet pikërisht për të rikrijuar ëndrrën tonë të Dhjetorit, një parti evropiane, shtëpi e të gjithë demokratëve dhe antikomunistëve shqiptarë, jo vetëm të një klani dhe rrethi të tyre miqësor e klientelist, të bashkuar pa dallim ideje. Do të jemi një forcë opozitare kundrejt çdo tentative regjimi, do të luftojmë për të kontribuar në zhvillimin demokratik ekonomik dhe njerëzor të vendit sipas modeleve euroatlantike, për t u rreshtuar sa më parë në BE si të barabartë.
Ribashkimi i demokratëve në LZHK
Ne nuk do të heshtim dhe do të luftojmë me të gjitha mjetet që ofron demokracia nëse shohim shmangie nga rregullat demokratike nga ligjet dhe e drejta. U bëjmë thirrje shqiptarëve që aspirojnë demokracinë, të bashkohen me ne për të luftuar për të mirën e vendit dhe familjeve tona, për të rindërtuar një parti demokratike të mbështetur në rregulla demokratike, ku të jenë institucionalizuar mendimi ndryshe dhe ku të votohet për drejtues dhe përfaqësues jo të përjetshëm, ku njerëzit të jenë të barabartë e të vlerësohen për punën dhe kontributin e tyre (meritokracia dhe përkushtimi) dhe jo për lidhjet dhe interesat e tyre. Ne i njohim nevojat e këtij vendi e kombi dhe do të punojmë të paraqesim një program për vënien në jetë të të cilit do të luftojmë si forcë politike, t u jepet zgjidhje problemeve. Një Shqipëri nuk mund të jetë e demokratizuar pa parti politike të demokratizuara, kjo arrihet nëpërmjet mendimit ndryshe dhe zgjedhjeve demokratike brenda partive, për ta kthyer LZHK-në në shtëpinë e të gjithë demokratëve shqiptarë, në një parti të qendrës së djathtë që aspiron shtetin e së drejtës dhe tregun e lirë, sipas modeleve perëndimore. Ne angazhohemi për të organizuar e shtrirë pas zgjedhjeve partinë, një parti demokratike të rindërtuar, në të gjithë vendin e për ta strukturuar atë si një forcë politike që lufton për të realizuar çka ëndërruam në dhjetor, sot me më tepër përvojë për rrugët që nuk duhen shkelur. U bëjmë thirrje të gjithë demokratëve që të grumbullohen rreth nesh për të krijuar shtëpinë e të gjithëve.
LZHK së shpejti në forumin e PPE-ve
Do të përgatisim dokumentin e nevojshëm për të paraqitur para Partive Popullore Evropiane kërkesën për t u anëtarësuar me të drejta të plota”, - tha ish-kryeministri Meksi. Kreu i sapozgjedhur i koalicionit të djathtë Poli i Lirisë , i është përgjigjur edhe interesimit të medias se a ka pasur ofertë për t iu afruar PD-së në zgjedhjet e ardhshme, duke u përgjigjur: “Jo nuk kam pasur asnjë ofertë për afrim me PD-në. Dhe kjo ka ndodhur në më shumë se katër vjet”. Për sa i përket pyetjes se, nëse do të kishte një ofertë të tillë, a do ta pranonte Meksi, ai tha: “Me në qoftë se nuk diskutohet në kohët e sotme”, përfundoi kandidati për deputet në Tiranë, Aleksandër Meksi. Meksi ka qenë Kryeministër i Shqipërisë në vitet 1992-1997. Meksi iu bashkua lëvizjes antikomuniste të vitit 1990 dhe ka qenë një ndër themeluesit e Partisë Demokratike në dhjetor të vitit 1990.

Programi qeverisës, sipas Meksit

Kryetari i sapozgjedhur i koalicionit Poli i Lirisë dhe ish-kryeministri Aleksandër Meksi, në një konferencë për shtyp, ku është bërë dhe prezantimi i tij në media nga LZHK, nuk ka vonuar të paraqesë strategjinë e tij politike për zhvillimin e vendit, duke paraqitur një peizazh të përgjithshëm mbi bazat e të cilit do të hartohet edhe programi elektoral i koalicionit të qendrës së djathtë Poli i Lirisë . Meksi shpjegoi ndër të tjera se “do të punojmë të paraqesim një program, ku do t`u jepet zgjidhje problemeve ekonomike; zhvillimit të vendit, uljes së varfërisë, kthimit tek puna, zgjidhja përfundimtare e problemeve të zvarritura si ajo e dëmshpërblimit të ish-të përndjekurve politikë, kthimit dhe kompensimit të pronave, mbrojtjes sociale të të varfërve dhe atyre në nevojë, kthimit të një sistemi fiskal të qëndrueshëm si ai i vendeve evropiane e jo një sajesë specifike shqiptare. Këto do të mundësojnë formalizimin e ekonomisë që paraprin dhe amnistinë ligjore fiskale e kuptuar kjo jo si legalizim i pasurisë korruptive dhe të krimit. Do të punojmë për forcimin e rendit publik dhe të ruajtjes së kufijve, si kushte për të udhëtuar në Evropë pa viza. Do të luftojmë veprat kriminale, si vrasjet, me rreptësi ligjore dhe çarmatosje. Do të zhvillojmë një luftë të pandërprerë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar me ligje bashkëkohore, që sot janë deformuar në fushën e prokurimeve, koncesioneve dhe kontrollit të pasurisë së bashku me konfliktin e interesit e nepotizmin. Do të ndërhyhet në legjislacionet përkatëse për të zhdukur monopolet në medikamente, tekste mësimore, telekomunikacione dhe ndërtim, duke krijuar lehtësira për vendasit. Për një shtet demokratik është e rëndësishme forcimi i institucioneve, ndarja dhe pavarësia e pushteteve, kuptuar kjo me kontrollin e ndërsjellë dhe ekuilibrin e tyre. Do të punojmë për Reformën në Drejtësi dhe atë të institucioneve duke shmangur strukturat paralele. Duhet të ndalen ndryshimet e ligjeve, të strukturave dhe deri në ndërhyrjet në Kushtetutë sipas interesave të momentit duke bërë të nesërmen të kundërtën, aq më tepër këto ndryshime prekin frymën demokratike dhe atë të ekonomisë së tregut. Mendoj se të gjitha këto ndryshime duhet të jenë pjesë e një pakete përmirësuese të organizimit dhe funksionimit të shtetit, të cilën kërkojmë dhe do të angazhohemi që në fillim të legjislaturës së re. Përparësi të programit tonë të përbashkët dhe të partive të koalicionit do të jenë fusha të tilla jetike për të sotmen dhe të ardhmen e vendit: arsimi, shëndetësia, mjedisi, punësimi, bujqësia, investimet publike (rrugë, ujësjellës, kanalizime, energji etj.). Politika sociale: pensionet, rrogat, ndihma sociale, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar për të vendosur realisht rendin dhe sigurimin e individit, privatësisë dhe mbi të gjitha përpjekjet për të shpejtuar integrimin në Evropë dhe lëvizjen e lirë të njerëzve. Është fjala për programe konkrete dhe jo copy paste të strategjive të institucioneve ndërkombëtare. Do të reformohet sistemi fiskal duke mënjanuar pasojat e reformave voluntariste. Do të vihen rregulla të reja për përmasat dhe llogaritjen e tatim-fitimit, tatimit mbi të ardhurat personale, taksës së pronës dhe mbi mënyrën e pagimit të TVSH-së. Krahas këtyre, duhet të rregullohen me norma ligjore përqindjet e interesit të kredive dhe sigurimi i likuiditetit për kredi, duke i dalë përpara krizës, që bëjmë sikur nuk e kemi. Poli i Lirisë angazhohet të paraqesë propozime konkrete të realizueshme për çështjen e parë brenda vitit 2009 dhe për çështjen e dëmshpërblimit të ish- të përndjekurve politikë dhe hartimin e masave brenda vitit për kompesimin dhe kthimin e pronës të ish-pronarëve, ku do të evidentohen përfundimisht pronat shtetërore për kompensim dhe njohja e pronave që mund të përcaktohen rrugët e zgjidhjeve afatet për kompensimin monetar. Këto veprime janë të domosdoshme për të vendosur në vend një padrejtësi e dhunë të sistemit komunist dhe për t`u hapur rrugë investimeve dhe përparimit”, - përfundoi ish-kryeministri Aleksandër Meksi.
Ky lajm është publikuar: 06/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›