E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meksika - ar ne futboll

Nuk është një trofe si Kupa e Botës, por gjithsesi një medalje ari olimpike mbetet edhe në futboll diçka e madhe. Këtë e fitoi Meksika që mundi Brazilin në finalen e meshkujve, një ditë pasi SHBA fitoi të artën për femra ndaj Japonisë. Edhe kjo ndeshje përfundoi 2-1, ashtu si e vajzave dhe heroi i përballjes ishte 28-vjeçari Oribe Peralta Morones, autor i të dy golave fitues.
Peralta shënoi që në minutën e parë ndërsa ekipet ende nuk kishin zënë vend mirë në fushë dhe meksikanët treguan se nuk kishin asnjë arsye për t’iu druajtur një Brazili me emër të madh dhe me disa lojtarë të rëndësishëm në fushë si Marselo, Tiago Silva, Hulk apo Nejmar.
Jo vetëm kaq, por pasi iu anulua një gol për pozicion jashtë loje, me të drejtë kjo, Meksika ia doli të shënonte gjithsesi të dytin. Ishte sërish Peralta që goditi bukur me kokë brenda zonës duke tundur rrjetën e portierit Gabriel.
Ky ishte goli i tij i 10-të në 15 ndeshje që ka luajtur gjithsej për përfaqësuesen meksikane të 23-vjeçarëve.
Gjithçka që mundi të bënte Brazili në këtë ndeshje ishte një gol në minutën e parë dhe të vetme shtesë, realizuar nga Hulk. As prania e Patos në 20 minutat e fundit nuk ndryshoi gjë dhe tashmë, gjigandët amerikanojugorë duhet të mendojnë më seriozisht për Botërorin e dy viteve më vonë, më 2014 dhe për Olimpiadën e vitit 2016 që do të zhvillohet në Rio de Zhaneiro.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›