Mema: Rrezikova per te fituar

04/04/2005 Edhe pse mes polemikash, Partizani ka bërë ritualin e vet, duke thyer për të katërtën herë Teutën brënda këtij sezoni. Një fitore, që i ka paraprirë përplasjes në Kupë pikërisht kundër durrsakëve të mërkurën në “Niko Dovana”. Gjithsesi fitorja e të kuqve, e marrë të shtunën ka qenë ndryshe nga tre të mëparshmet. Nëse në tre sfidat e para Partizani ka dominuar, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për fitoren e së shtunës. Partizani ka fituar, por nuk ka bindur me lojë. Ky ka qenë edhe komenti i bërë nga tekniku i të kuqve Mema pas ndeshjes. Në komentin e tij, tekniku i Partizanit ka theksuar, se ka pritur më shumë nga skuadra e tij në këtë ndeshje. “Ishte një tjetër fitore e rëndësishme për skuadrën tonë, e cila konfirmon gjedjen e mirë që po kalojmë. Gjithsesi edhe pse arritëm të fitonim, nuk arritëm të bindnim në lojë. Skuadra shfaqi disa mangësi, të cilat mbi të gjitha i atribuohen mungesës së një determinizmi më të madh të futbollistëve. Skuadra nuk u impenjua maksimalisht dhe për këtë nuk arriti të shfaqte vlerat e saj të vërteta. Unë, prisja më shumë nga skuadra, gjithsesi i gëzohemi fitores dhe shpresoj që kjo t’i vlejë skuadrës për sfidën e së mërkurës në Kupë, ku loja do të bëhet më serioze dhe më e vështirë”,- ka deklaruar fillimisht numri një i bankinës së Partizanit. Ndërkohë, i pyetur për faktin se pse skuadra e tij nuk ka arritur të impenjohet maksimalisht në këtë takim kundër Teutës, tekniku i të kuqve ka bërë të ditur, se edhe ai vetë e ka vënë re një fakt të tillë dhe sipas tij, ndoshta futbollistët kanë menduar edhe për sfidën e së mërkurës në Kupë. “Mos impenjimi i duhur mund të ketë ardhur edhe për faktin, se të mërkurën na pret një sfidë e vashtirë në Kupë në Durrës, pikërisht përballë Teutës. Gjithsesi dua të theksoj, se skuadra e kërkoi golin dhe fitoren, gjë që ne e dëshironim të gjithë. Është kjo edhe arsyeja pse vendosa të hedh në fushë një skuadër me formacion të plotë. E kisha deklaruar edhe para ndeshjes, se në fillim duhet të mendonim për kampionatin dhe pas tij për Kupën”,- ka nënvizuar Mema. Por veç lojës jo fort bindëse, skuadra e Partiznit në ndeshjen e së shtunës ndoshta ka vuajtur edhe lodhjen e disa prej elementëve të saj. Dhe problemi më i madhe ishte mesfusha, e cila në pjesën e dytë nuk ishte në nivelet e saj më të larta. Kjo sepse tre futbollistë të Partizanin vinin nga dy ndeshje me ekipion Shpresa dhe lodhja ka bërë punën e saj. Gjithsesi pavarësisht kësaj, tekniku Mema ka hezituar të bëjë ndonjë ndërrim dhe i pari, dhe i fundit ka qenë ai i minutës së 93-të. Për këtë problem Mema është shprehur se kishte ndër mend të bënte disa ndryshime, por stoli mjaft i ri nuk ja ka lejuar një eksperimentim të tillë, ndaj ai ka vendosur t’i besojë futbollistëve që ishin në fushë. “Kjo është e vërtetë. Edhe unë kisha menduar të bëja disa ndryshime, por stoli mjaft i ri nuk ma lejonte një gjë të tillë, ndaj vendosa të mos rrezikoj. Nuk dëshiroja që nëse rezultati do të kish qenë ndryshe, këtë gjë t’ia faturoja të rinjve. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se unë nuk kam besim te të rinjtë, përkundrazi”- ka përfunduar numri një i bankinës së Partizanit, Sulejman Mema.