E Diel, 1 Nëntor 2026

Çmimet “Kult”, promovim i artit të vlerave

04/04/2005  Ylli Sula

Çmimet "Kult", kanë hyrë në javën e tyre të fundit, dhe në datën 9 prill në Pallatin e Kongreseve, do të organizohet ceremonia e ndarjes së tyre, për 12 fusha të artit dhe kulturës. Duke folur për "Metropol", botuesi i revistës "Kult" dhe një nga bashkorganizatorët e këtij aktiviteti, Ylli Sula, ka shpjeguar në mënyrë të hollësishme të gjithë strukturën e ndërtimit të këtij projekti, që në momentin e parë deri në fazën përfundimtare, atë të ndarjes së çmimeve. Sula shprehet, midis të tjersh, se të gjitha pretendimet në lidhje me aftësinë apo kompetencën e jurive apo dhe vetë aktivitetin janë paragjykime, duke nënvizaur se "në rast se jetën kulturoro-artistike në vend nuk e ndjekin artistët, drejtuesit e institucioneve, gazetarët, menaxherët e artit apo edhe sponsorizuesit e tyre, atëhere shtrohet pyetja: Kush i ndjek vallë?". Ai shpjegon për "Metropol" se "duke patur parasysh volumin shumë të madh të punës për të organizuar një sipërmarrje kaq të madhe, "Kult" e ka ndërmarrë këtë iniciativë në bashkëpunim të plotë me shoqatën “Art Grup”, me presidente Rudina Magjistarin. Të dy këta bashkorganizatorë dhe bashkëproducentë, përmbushin mjaft mirë të gjitha parametrat për të zhvilluar një aktivitet shumë serioz, si në strukturë e konceptim, ashtu edhe realizimit të tij".

Përse revista “Kult” iniciatore për organizimin e këtyre çmimeve?

Për vetë faktin, se një iniciativë e tillë është një vazhdim llogjik i punës së kësaj reviste, e cila, prej dy vitesh, është e vetmja në treg që i paraprin aktiviteteve të ndryshme kulturore që zhvillohen, në Tiranë dhe jo vetëm. Kjo e ka kthyer në një mjet tepër interesant, pasi i ofron publikut mundësinë të zgjedhë aktivitetet kulturore që dëshiron të shohë, por edhe në një mjet për promovimin e artit, duke ndihmuar të mbushen sallat, të cilat mbushen kur të gjithë janë në dijeni praraprakisht për zhvillimin e një aktiviteti. Kjo, pa mohuar aspak rëndësinë shumë të madhe të pjesës tjetër të gazetarisë, e cila trajton aspektin kritik, afirmimin e vlerave, përballjen e tyre, etj. Gjithë ky listim, i cili njofton aktivitetet që ndodhin në javën në vazhdim, na ka ndihmuar, sipas mendimit tonë, të krijojmë një bankë të dhënash unikale, e cila na krijon mundësinë të themi se, jemi të vetmit në treg që mund të themi se gjatë vitit 2004, ka patur këto apo ato aktivitete kulturoro-artsitike. Nga gjithë kjo gamë aktivitetesh ne menduam të përzgjedhim 12 fusha të artit dhe kulturës, që pa dyshim kanë qenë me prodhimtarinë më të lartë, por që kanë patur edhe një rezonancë shumë të madhe në publikun e gjerë. Një avantazh i revistës “Kult”, për të ndërmarrë këtë iniciativë, është edhe fakti se ajo është tërësisht apolitike dhe apolemike. Një revistë që nuk ushtron kritikë (pozitive apo negative qoftë ajo) dhe kjo krijon mundësinë e shmangies të të gjitha paragjykimeve, të paktën përsa i përket revistës. Por, duke patur parasysh volumin shumë të madh të punës për të organizuar një sipërmarrje kaq të madhe, “Kult” e ndërmerr këtë iniciativë në bashkëpunim të plotë me shoqatën “Art Grup”, me presidente Rudina Magjistarin. Të dy këta bashkorganizatorë dhe bashkëproducentë, përmbushin mjaft mirë të gjitha parametrat për të zhvilluar një aktivitet shumë serioz, si në strukturë e konceptim, ashtu edhe realizimit të tij. Ky seriozitet nuk synon thjesht të krijojë traditën e këtij aktiviteti në vendin tonë, por edhe ta shndërrojnë në referencë, përsa i përket dhënies së çmimeve kulturore vjetore në Shqipëri. Ishte një iniciativë si rezultat i domosdoshmërisë që kërkonte vetë koha, për të promovuar artin dhe kulturën në formë të tillë, për ta bërë atë të prekshëm e të hapur për të gjithë, duke i kthyer këto çmime, në çmime të mëdha të publikut.

Përse ky konceptim në çmime të mëdha të publikut?

Ne kemi insistuar në këtë fakt, pasi kemi dashur të evitojmë të dy ekstremet që mund të karakterizonin dhënien e çmimeve të tilla: ekstremin akademiko-hermetik, pra çmime të dhëna në rrethe të mbyllura elitare, por që rrezikojnë t’i heqin artit esencën e vet, atë të komunikimit me publikun. Ekstremi tjetër është ai i artit populisto-komercial, që konsiderohet përsëri si një rrezik, pasi vërtet mund të ofrojë një masivitet në një kontakt të parë me publikun, por vlerat e të cilit janë shumë të dyshimta apo edhe kalimtare, pa krijuar traditë, vlera, etj. Mënyra e organizimit na bën të besojmë se evitohen këto dy rreziqe ekstreme. Evitohet ekstremi i parë, për faktin se juria e madhe dhe juritë e tjera nuk janë në nivele të mirëfillta akademike, por edhe ekstremi i dytë, pasi anëtarët e jurive kanë lidhje të drejtpërdrejta me artin dhe kulturën, madje janë shumë aktivë dhe të lidhur me fushat përkatëse.

Si u procedua nga ju si organizatorë në përzgjedhjen e jurive dhe që ju bën të besoni se i keni shmangur të dy ekstremet?

Në jurinë e parë, ne u përpoqëm që nëpërmjet anëtarëve të zgjedhur, të plotësojmë një gamë sa më të gjerë të fushave të artit dhe kulturës, duke i mëshuar faktit, se këta individë, në rradhë të parë janë spektatorë të kualifikuar, me shije estetike sa më të larta, por edhe speciailstë shumë të mirë në fushat që ata operojnë. U përpoqëm gjithashtu që anëtarët të ishin sa më pak të përfshirë në polemika të ndryshme. Le t’i themi gjërat me emrin e tyre. Sa më i vogël të jetë ambienti, aq më shumë kontakete kanë njerëzit midis tyre. Sa më të shumta të jenë këto kontakte, aq më shumë shtohet mundësia e konflikteve në plan personal, të cilat shpesh herë reflektohen edhe në nivele profesionale. Ne besojmë se të gjithë anëtarët e përzgjedhur në këtë juri të parë e plotësojnë këtë dimension: janë të gjithë të lidhur drejtpërdrejt me artin dhe kulturën, por dhe nuk janë konfliktualë, të paktën, nga këndvështrimi ynë si organizatorë. Por, besoj se edhe aspekti i konfliktualitetit të individëve, duhet të përballohet nga ana organizatorëve, duke i futur këta njerëz brenda rregullave të një organizimi të tillë dhe shpjeguar se kanë mbi supe një përgjegjësi shumë të madhe, ku po jepen për herë të parë çmime të tilla dhe realizohet një aktivitet, i cili dikton përgjegjësi të jashtëzakonshme. Të gjithë jemi të bindur se çdo mospërgjegjësi individuale do të prodhojë pasoja, ku një votim i deformuar, na shmang tërësisht nga qëllimi ynë, që është promovimi i vlerave.

Mbi çfarë kriteresh përzgjodhi juria e parë, 48 kanditatët e parë të Çmimeve Kult?

Përsa i përket numrit të kandidaturave fillestare, kjo ka qenë në raport me fushat e ndryshme. P.sh., në lidhje me librin ka patur me qindra votime, ndërsa në një pol të kundërt ndodhet filmi, që për arsye të buxheteve shumë të mëdha që kërkon, ka një prodhimtari të kufizuar, ku përzjedhja nuk të lodh aspak. Por, gjithsesi, kjo bankë të dhënash e akumuluar në revistën "Kult", iu vu në dispozicion jurisë, së bashku edhe me ato të dhëna qe ne dispononim nga aktivitetet e zhvilluara në rrethe të ndryshme të vendit, ku konsatojmë kryesisht shfaqje teatrale, koncerte të ndryshme apo ekspozita pikture. Ndoshta përbën një fatkeqësi, që Tirana mban peshën më të madhe, apo përmbledh gati krejtësisht jetën kulturore në vend, është për të ardhur keq, por kjo është e vërteta. Pra, juria e parë përzgjodhi pikërisht në bazë të të dhënave që i vuri në dispozicion revista "Kult", në lidhje me aktivitetet e zhvilluara gjatë vitit 2004.

Po juritë e tjera?

Edhe juritë e tjera janë përzgjedhur gati me të njëjtin koncept me jurinë e parë, por duke i profilizuar sipas disa fushave të caktuara. Menduam se një juri institucionale, është e rëndësishme, pasi, për hir të së vërtetës, duhet thënë se peshën kryesore për zhvillimin e aktiviteteve artistiko-kulturore e mbajnë disa institucione. Pra, mbi këtë bazë drejtuesit apo përfaqësuesit e këtyre institucioneve, nuk mund të lihen jashtë vlerësimit. Eshtë një juri tjetër e përbërë nga gazetarët e kulturës, pasi ata janë individë që për arsye profesionale, ndjekin, ndoshta, më nga afër, të gjitha aktivitet që zhvillohen, të cilët mund të japin një gjykim shumë objektiv, gjykim i cili ka një bazë shumë të thellë njohje. Juria e tretë është e përbërë nga artistë. Kuptohet, artistë që nuk marrin pjesë në garë, por që është shumë interesante sepse sjell një gjykim të brendshëm. Juria e katërt përbëhet nga menaxherët e artit. Kjo, pasi ne duam të theksojmë se arti shqiptar, edhe në konstatimin tim personal, bazohet, kryesisht, mbi sponsorizime dhe jo në një përballje reale me tregun. Arti ka nevojë të përballet më në fund me tregun, pasi vetëm në këtë moment ka mundësi të hapet dhe të krijojë një pavarësi më të madhe, të vetëfinancohet, por natyrisht të jetë edhe më i lirë. Pra, edhe këta menaxherë kanë peshën e tyre, pasi janë menaxherë të artit, producentë, kuratorë, etj., që kanë lidhje të drejtpërdrejta me artin. Ndërsa juria e pestë, përbëhet nga dashamirësit apo mbështetësit e artit. Ndoshat nuk mund të quhet fenomen pozitiv, që arti vazhdon të jetë shumë i sponsorizuar, por kjo nuk do të thotë që duhet të godasim sponsorizimin, përkundrazi, duhet ta falenderojmë. Pra në këtë rast, mbështetësit e artit janë përfaqësues të një numër kompanish private, të cilët nuk kanë sponsorizuar thjesht për të bërë një reklamë, por kanë menduar që paralelisht me këtë publicitet, të përmirësojnë klimën artistiko-kultorore, mendore, psikologjike. Pa ndihmën e tyre, do të kishte qenë e pamundur të prodhoheshin një seri aktivitetesh. Që nga momenti që ata vendosin të mbështesin një aktivitet, do të thotë që e njohin atë, pasi nuk sponsorizohet për të sponsorizuar, por në bazë të një projekti të caktuar, i cili pasi aprovohet ndiqet me rigorozitet deri në fund.

Të gjithë këta elementë që përmendët ju bëjnë të besoni, se do të ketë një transparencë maksimale...

Ne, si oraganizatorë, jemi përpjekur të evitojmë çdo lloj ndikimi që mund të burojë nga ne. Ndikime të jashtme si rezultat i njohjeve, preferncave apo edhe subjektivizmave të tjerë, këtë askush nuk mund ta garnatojë, në asnjë rast. Ne garantojmë një objektivitet maksimal, pasi të 36 anëtarëve të jurive, u kemi lënë një kohë të mjaftueshme në dispozicion, për t'u njohur me të gjitha materialet. Juria e parë, ka patur gati tre muaj kohë në dispozicion, ndërsa juritë e tjera 20 ditë kohë. Ndërsa për jurinë e parë volumi ka qenë shumë i madh, juritë e tjera e kanë patur më të lehtë, por edhe kohë të mjaftueshme. Ajo ç'ka kemi konstatuar, është pozitive pasi, të gjithë anëtarët e jurive kanë parë një pjesë të mirë të aktiviteteve. Por, edhe ne nga ana tjetër, kemi krijuar dosje arkiv, për të gjitha aktivitet, në të cilat janë nominuar këta kanditatë. Pra, kushdo anëtar i cili nuk ka mundur të ndjekë nga afër, ndonjë nga aktivitetet respektive, ka të gjitha mundësitë të njihet me materialet e caktuara. Për të ritheksuar edhe një herë faktin, kemi të bëjmë me çmime të mëdha publiku, këta anëtarë jurie, përveç gjykimit të tyre individual, u është kërkuar nga ana jonë të përpiqen të transmetojnë apo të njihen me një vlerësim apo opinion sa më të gjerë, natyrisht pa shkelur mbi opinionin e tyre, por për të arritur një rezultante që mund të përfshijë sa më shumë njerëz është e mundur. Ndërsa, përsa i përket votimit, ai do të kryehet në momentin e fundit, në prani të një noteri dhe në çdo moment, do të jetë i verifikueshëm në lidhje me rezultatin e tij, nga kushdo që do të dëshirojë të dijë. Votimi është i fshehtë për çdo juri. Rezultati i votimit, i komunikohet jurisë aty për aty dhe çdo anëtar i jurisë firmos rezulatin, i cili përmblidhet në një porces-verbal, i cili gjithashtu firmoset nga të gjithë anëtarët e jurisë. Në kuadrin e një çmimi publiku, vijnë edhe votimet e publikut të gjerë, nëpërmjet mesazheve sms, por që do të kenë një peshë të tillë, sa të "kthjellojnë" situatën, pa mundur të përmbysin rezultatin e votimit të jurive, pasi edhe kjo do të ishte e pakuptimtë. Në vlerën absolute do të kemi 41 pikë (36 anëtare jurie plus 5 pikë nga votimi i publikut). Pra e ritheksoj se, votimi i publikut nuk është në gjendje të përmbysë rezultatet e votimit të jurive, por do të ndihmojë së tepërmi në rastet kur rezultati i votimit të jurive është shumë i ekuilibruar. Pra në këto raste publiku mund të jetë përcaktues, ku kandidati përveç gjysmës reale të jurisë, do të ketë edhe publikun me vete.

Ditët e fundit në shtyp, nga komuniteti i artistëve, janë shprehur disa rezerva në lidhje me këto çmime, por që kryesisht kanë shprehur rezerva në lidhje me kriteret, apo faktin sa janë ndjekur nga anëtarët e jurive etj., si këto...

Në rast se ne do të marrim të gjithë anëtarët e jurive, jo vetëm që nuk na rezulton, por madje është e pamundur të besojmë se ata që janë artistë aktivë, profesionistë aktivë, etj,. të jenë kaq të papërgjegjshëm, sa të flasin apo të shprehin një mendim për diçka që nuk e kanë parë, apo është inkompetent. Personalisht, e kam të pamundur ta besoj. Eshtë paragjykim, gati-gati keqdashës. Ka edhe një arsye tjetër. Në rast se jetën kulturoro-artistike në vend nuk e ndjekin artistët, drejtuesit e institucioneve, gazetarët, menaxherët e artit apo edhe sponsorizuesit e tyre, atëhere shtrohet pyetja: Kush i ndjek vallë? Eshtë e kuptueshme që nuk kanë mundur t'i shohin të gjitha aktivitetet, për këtë është kjo kohë në dispozicion dhe po për të njëjtën arsye, ne kemi ndërtuar dosjet-arkiv, për secilin nga kanadidatët, në mënyrë që kusho që ka një mangësi në njohje, të ketë mundësi të njihet sa më mirë nga afër. Nuk njoh njerëz kaq të papërgjegjshëm që do të votonin për diçka që nuk e njohin. Ka shumë paragjykime, por që janë krejtësisht të pabaza. Edhe në këtë moment që flasim, ata vazhdojnë të konsultohen me të gjitha materialet që kanë kërkuar, pasi deri në momentin e votimit ka ende një javë kohë. Le të mos harrojmë se këto juri përveç materialeve që u kemi vënë ne në dispozicion, vazhdojnë të marrin informacion nga shumë kanale të tjera.

Si do të realizohet pjesa e spektaklit?

Eshtë konceptuar në dy netë. Një natë e parë televizive pa spektatorë, që do të transmetohet në datën 8 prill në televizionin kombëtar "Klan", e ku do të prezantohen të gjithë kandidatët dhe të gjitha juritë. Një prezantim konkret i të gjithë kandidatëve për të gjithë aktivitetin e zhvilluar gjatë viti 2004, i dokumentuar edhe me materiale të ndryshme filmike. Ky prezantim mbyllet me një shprehje të secilit prej kandidatëve, e cila i vendos ata në një start të barabartë para të gjitha jurive apo publikut, duke dhënë kështu edhe një dimension të tyre njerëzor, i cili do të vlerësohet gjithashtu. Nata e dytë, në dt. 9 prill, do të përbëjë natën finale por edhe spektaklin e madh. Kjo mbrëmje gala do të zhvillohet në Pallatin e Kongresve, ku atmosfera do të jetë krejtësisht e veçantë me të gjitha juritë e pranishme, të gjithë kanditatët, shpresojmë, në një aktivitet ku të gjithë janë të fituar, pavarësisht se vetëm 12 do të jenë më të vlerësuarit. Do të ketë shumë të ftuar, personalitete nga fusha të ndryshme, madje edhe për të 12 fituesit, do të ketë 12 individë që do t'ua dorëzojnë çmimet, ku do të ketë shumë surpriza, ku mund të them se do të ketë edhe personalitete të huaja. Kryesisht nga ana skenografike, pa neglizhuar aspak anën regjisoriale apo të skenarit, do të përdoret një teknologji e pa përdorur asnjëherë më parë në Shqipëri. Le të sqarojmë diçka në lidhje me vlerën monetare të këtyre çmimeve. Janë dhënë shifra nga më të çuditshmet, disa shumë të larta, disa shumë të ulta. Çmimi për secilin fitues është 300 mijë lekë të rinj apo 3 milonë lekë të vjetër. Këto vlera monetare vijnë nga buxheti i projektit të këtij aktivitetit, ku MKRS-ja është një mbështetëse e pazëvendësueshme, duke treguar një mirëkuptim shumë të madh, për një ndërmarrje të tillë, por që të jemi realistë, i plotëson edhe asaj një vakum.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›