E Diel, 1 Nëntor 2026

Milani mirëpret Shevçenkon

04/04/2005  Nëse nuk do të ketë surpriza të orëve të fundit, trajneri Karlo Ançeloti e ka përcaktuar që tani formacionin që do të luajë kundër Interit. Pikërisht në momentin më të rëndësishëm të sezonit, Milani ka rigjetur Andrij Shevçenkon, i cili do të jetë në fushë që nga minuta e parë kundër Interit, ndryshe nga kundërshtari i tij, Adriano. Sulmuesi ukrainas ka disa ditë që është rikthyer në stërvitje të plotë dhe mezi po pret të rikthehet, në një nga ndeshjet më të nxehta të sezonit. Natyrisht, është e lehtë të kuptohet që Shevçenko, i cili mungon që prej 19 shkurtit, të mos ketë një formë fizike të shkëlqyer, por ajo që ka rëndësi, është se ukrainasi do të luajë që nga fillimi, për t’i lënë vendin më pas Tomasonit apo Rui Kostës, në varësi të ecurisë së ndeshjes. Në sulm, Ançeloti do të kthehet te moduli me dy sulmues, Shevën e Krespon, ndërkohë që pas tyre do të veprojë Kaka. Ndërkaq, duket se nuk do të jetë momenti i rikthimit për një tjetër të pafat me dëmtimet, Pipo Inzagin. Pas një serie të gjatë problemesh fizike, tashmë sulmuesi vuan nga një problem në gju dhe ka bërë pushim gjatë fundjavës. Asnjë dyshim në mbrojtje, ku kapiten Maldini do të rimarrë rolin historik të krahut të majtë, për t’i lënë hapësirë dyshes qendrore Stam - Nesta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›