E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mema: “Të largohen Dede e Nallbani”

Bledar KUKA
"Dy-tre lojtarë mbajnë peng Tiranën, por unë nuk do ta lejoj". Këto ishin fjalët e trajnerit Sulejman Mema, në orën 20.15 të së shtunës, pasi pa skuadrën e tij të shkërmoqej 1-4 nga Partizani. Ai nuk pranoi të tregonte emra, por burime brenda klubit japin pohime interesante lidhur me një bisedë të bërë mes Memës dhe donatorëve para se ai të caktohej në krye të skuadrës. "Kërkoj të largohen Dede dhe Nallbani", mësohet se ka thënë ai, gjithnjë sipas këtyre burimeve, në një shkëmbim mendimesh që përpara se Nevil Dede të vendoste për t'u transferuar në Kinë. Po kështu, burimet e mësipërme pohojnë se kjo bisedë është zhvilluar kur në timon të kampionëve ishte ende Astrit Hafizi, pra rrjedhimisht i bie që donatorët (ndoshta jo të gjithë) e kishin piketuar Memën më përpara sesa të vendosnin shkarkimin e shkodranit. Rreth asaj periudhe ndodhi edhe dorëheqja e Memës nga funksionet në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF), ku ishte shef i sektorit të gjyqtarëve. "Unë nuk do t'iu them emrat e lojtarëve që mbajnë peng Tiranën", - ishte përgjigja e trajnerit, kur u pyet të shtunën që të zbulonte futbollistët që do të donte të largonte. Gazeta "Korrieri" e vuri gishtin në plagë ditën e derbit kur u botua një dialog mes Memës dhe njërit prej lojtarëve ku trajneri thoshte se "ndoshta sezonin e ardhshëm disa prej jush nuk do të jenë më këtu" dhe një lojtar iu përgjigj se "ndoshta nuk do të jesh as ti". Por trajneri i Tiranës i ftoi gazetarët, pas derbit, që ta kuptonin vetë se për cilët lojtarë (që mbanin peng ekipin) ishte fjala duke u shprehur se "ju e patë vetë se disa lojtarë nuk zbatuan detyrat që ishin dhënë". Ndonëse kanë kaluar shumë pak kohë që kur përfaqësuesi i dinastisë më të njohur bardheblu u caktua trajner i ekipit, marrëdhëniet e tij me disa nga lojtarët nuk mund të thuhet se janë ndër më të mirat. Në media u përfol për kritika të ashpra të Memës ndaj futbollistëve të tij pas barazimit 0-0 me Dinamon, madje edhe debat të nxehtë me Klodian Duron, por të dyja palët e mohuan një gjë të tillë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›