PS: Shqipëria larg standardeve të BE-së
Partia Socialiste akuzoi dje Qeverinë se nuk e ka afruar vendin aspak me standardet e Bashkimit Evropian. Deputeti Fatmir Toçi duke iu referuar një raporti të Bankës Botërore tha se Shqipëria mbetet pas të gjitha vendeve të rajonit. "Raporti 'Mbi rritjen e konkurrencës së sektorit privat në Shqipëri', studim i Bankës Botërore, tregon edhe njëherë se Shqipëria mbetet pas të gjitha vendeve të tjera në rajon për investime direkte të huaja për frymë. Dhe arsyeja për këtë, gjendet po brenda rreshtave të këtij raporti", u shpreh Toçi. Duke sjellë fakte nga ky raport, deputeti socialist tha se "Raporti thotë se 'interpretimi i paqëndrueshëm dhe i paparashikueshëm i ligjeve tatimore e fiskale, ose zbatimi arbitrar i tyre, vendosin përpara të gjitha firmave një pengesë kohore. Sipas raportit, biznesmenët shqiptarë duhet të shpenzojnë kohë me organet tatimore e gjyqësore që vendimet të merren në favor të tyre, e për më tepër ata shumë shpesh detyrohen të paguajnë ryshfete. Më se 58% e firmave shqiptare tregojnë se kanë paguar ryshfete kundrejt zyrtarëve të shtetit për të "kryer punë", u shpreh deputeti socialist.