E Diel, 1 Nëntor 2026

Memia: Tapitë vetëm pas pagesës 100% të truallit

Personat që janë bërë pjesë e procesit të legalizimit duhet të shlyejnë vlerën e truallit për të përfituar tapinë. 

TIRANE

Në rast se paguajnë detyrimin financiar të gjithë njëherësh, do të përfitojnë ulje 20% të vlerës. Kush përfundon këtë proces brenda vitit, do të këtë ulje deri në masën 10%. “Do të ndërhyjmë me një goditje frontale në fund të gushtit, për 100 mijë pasuri personale dhe njëkohësisht ky proces do të lidhet edhe me gatishmërinë e qytetarëve për të shlyer disa detyrime. Nëse qytetarët do të reagojnë në mënyrë të menjëhershme, edhe ne do të reagojmë në mënyrë të menjëhershme”, u shpreh kreu i ALUIZNI-t, Shaban Memia. Sipas tij, i rëndësishëm është fakti se në paketën financiare që është miratuar në qeveri, ka një sërë mekanizmash favorizues për qytetarët. “I gjithë detyrimi financiar është grumbulluar në një shifër dhe nëse qytetari e shlyen menjëherë, atëherë ka një skonto 20 për qind, nëse e shlyen me dy këste brenda një viti ka një skonto prej 10 për qind, pastaj është sistemi i kreditimit”, theksoi Shaban Memia. Ndërkohë ai nënvizoi se do të shemben ato objekte që janë ndërtuar në zonat me studim urbanistik, ku formacioni gjeologjik i tokës nuk lejon ndërtim si dhe ato që janë kryer pas hyrjes në fuqi të ligjit.
Tarifat
Pas ndryshimit të ligjit dhe miratimit të vendimit nga Qeveria, ALUIZNI ka gati tapitë për 100 mijë ndërtime pa leje. Gjithashtu janë përcaktuar edhe listat me pronarët përfitues nga detyrimet që do të shlyejnë të legalizuarit. Gjithaq janë përcaktuar edhe një sërë tarifash që duhen paguar prej tyre. “Ka një tarifë shërbimi që praktikisht po qe se do t’i realizonte gjithë procedurat, pushteti lokal do t’i kalonte pushtetit lokal, tani i kalon Agjencisë, që është një tarifë që paguan qytetari për shërbimet që i bëhen dhe është 4 mijë lekë. Po t’i drejtohej tregut qytetari do të paguante deri në 100 mijë lekë të vjetra, për të përdorur të gjithë dokumentacionin tekniko-ligjor, sepse kaq është”, ka deklaruar Memia. Ai ka sqaruar se për të eliminuar korrupsionin dhe deformimin është vendosur që dokumentacioni të përdoret në një kohë të shpejtë dhe më pas me standardet dhe teknologjinë që ka database-i i pronësisë. “Së dyti, është taksa e ndikimit në infrastrukturë, që paguhet 1 dhe 2 për qind e vlerës së përgjithshme të ndërtimit. Është po ajo që është edhe në ligj dhe i adresohet 100 për qind pushtetit lokal për studimet urbane dhe zhvillimin urban të tyre”, tha Memia. Kreu i ALUIZNI-t deklaroi se është një kapital rreth 10 miliardë eurosh që mund të cilësohet kapital i vdekur. Kjo, pasi as nuk gjenerohet, as nuk shitet, nuk blihet, nuk mund të ndërtosh e të përdoret si kolateral në sistemin bankar dhe politikat urbane. “Politikat urbane do të bëjnë të munduar që këto të shumëfishohen investimet dhe të realizohen në përputhje me një vizion zhvillues dhe drejt atyre tendencave që përpiqen të gjithë të shkojnë drejt BE-së. Deri tani llogariten rreth 350 mijë objekte pasuri individuale, sepse pallatet janë 50 deri në 100 mijë”, ka nënvizuar Memia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›