E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizat me Maqedoninë, ngec marrëveshja

Marrëveshja për heqjen e vizave mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, edhe pse është miratuar pas debateve disa muaj më parë, ka mbetur pezull. 

SHKUP

Zbatimi i marrëveshjes në praktikë është ende i pamundur, pasi ajo nuk ka fuqi ligjore. Lajmi është bërë publik dje nga gazeta shqiptare “Koha” në Maqedoni. Sipas saj, Presidenti Maqedonas e ka nënshkruar projektligjin më 28 korrik 2008, por Parlamenti nuk e ka publikuar atë në Fletoren Zyrtare, çka do t’i hapte rrugë zbatimit të saj. Në këtë mënyrë, shtetasit shqiptarë që duan të udhëtojnë në drejtim të Maqedonisë, duhet t’i nënshtrohen të njëjtit regjim vizash siç ka qenë më parë për një afat të pacaktuar, derisa Parlamenti maqedonas ta botojë marrëveshjen ne Fletoren Zyrtare për t’i dhënë asaj dritën jeshile përfundimtare për zbatim.
Ligji
Duke përmbledhur etapat në të cilat ka kaluar ky ligj, gazeta pohon se: “Në vend që shërbimet e Parlamentit në afat prej shtatë ditëve nga data kur është pranuar dekreti i Presidentit ta dërgojnë në Fletoren Zyrtare për botim, Parlamenti të njëjtin ligj edhe njëherë e fut në rend të ditës për miratim më datë 1 korrik 2008. Më 4 korrik kabineti i kryetarit të shtetit i dorëzon sërish Parlamentit shkresë, përmes së cilës e njofton se Ligji është i nënshkruar dhe se duhet të shpallet në fletoren zyrtare, por përsëri mbetet i pashpallur”. Ndërsa më tej në artikull thuhet se: “Nga data 4 korrik e këndej, janë botuar dy numra të Fletores Zyrtare, më 8 dhe më 13 korrik, mirëpo sipas shërbimeve të këtij institucioni, në asnjërin prej tyre nuk gjendet Marrëveshja për lëvizjen e lirë të qytetarëve mes Maqedonisë dhe Shqipërisë”. Në artikull është cituar edhe zëdhënësi i Parlamentit maqedonas, Todor Pendarov, i cili ka pranuar se Marrëveshja në fjalë është nënshkruar nga ana e Presidentit dhe është miratuar dy herë nga deputetët. Por ai nuk mund të japë sqarime, pse e njëjta marrëveshje deri më tani nuk është dorëzuar për shpallje. I pyetur nga gazeta maqedonase se cilat janë shkaqet që po vonohet shpallja e Marrëveshjes në Fletoren Zyrtare, zëdhënësi Pendarov thotë se nuk është personi kompetent që duhet të japë sqarim, se cili person apo institucion e pengon procedurën e dorëzimit për shpallje.
Zyrtarët
Thuajse të njëjtën gjë ka pranuar për gazetën maqedonase edhe nënkryetari i Parlamentit, Rafiz Haliti. Ku ka pohuar se Marrëveshja për lëvizjen e shtetasve të Shqipërisë pa viza drejt Maqedonisë është miratuar dy herë, mirëpo thekson se nuk ka informata se pse ende nuk është shpallur në Fletoren Zyrtare. Pasojë e këtij problemi, deri në shpallje të ligjit, qytetarët e Shqipërisë nuk mund të futen në Maqedoni pa qenë të pajisur me vizë maqedonase në ambasadën e tyre në Tiranë. Ndërsa, qytetarët e Maqedonisë vazhdojnë të kalojnë kufirin e Shqipërisë pa pasur nevojë të pajisen me viza, sepse 5 muaj më parë parlamenti shqiptar ratifikoi marrëveshjen për lëvizjen e lirë të qytetarëve maqedonas drejt shtetit shqiptar.

Vizat
Regjimi i vizave me Maqedoninë u vendos pak kohë më parë, kur u Parlamenti maqedonas vendosi që qytetarët shqiptarë të pajiseshin me vizë në ambasadën maqedonase në Tiranë për të hyrë në territorin e këtij shteti. Aktualisht ky vendim është në fuqi dhe regjimi i vizave nuk është hequr.

Marrëveshja dypalëshe për vizat
Marrëveshja për liberalizimin e vizave midis Shqipërisë dhe Maqedonisë u ratifikua pak kohë më parë midis parlamenteve të dy shteteve. Sipas saj, liberalizohen lëvizjet e qytetarëve të dy shteteve, ose e thënë ndryshe qytetarët pajisen nëpër dogana me të drejta kalimi në territorin e shtetit tjetër. Kjo sjell lehtësi në qarkullim, duke shkurtuar kohë për shkak të problemeve në ambasadë. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›