Memorandum midis UT-së dhe Dhomës së Tregtisë
Memorandumi u nënshkrua nga rektori i UT-së, prof. dr. Dhori Kule dhe kryetari i DHTI-së, z. Nikolin Jaka. Kjo marrëveshje parashikon bashkëpunim mes dy institucioneve në ndihmesën e biznesit shqiptar, që gjendet i grupuar në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë, si edhe të studentëve e pedagogëve të UT-së.Gjatë fjalës së tij, rektori i Universitetit të Tiranës, prof. dr. Dhori Kule theksoi, veç të tjerash se ky memorandum është një shtysë cilësore që i bëhet kapaciteteve të UT-së. "Universiteti i Tiranës me të gjitha kapacitetet e tij, qoftë në studentë, pedagogë, apo kërkim shkencorë, do të bashkëpunojë me Dhomën e Tregtisë në ofrimin e studentëve më të mirë, tashmë jo vetëm për stazh. Ky memorandum i shërben në radhë të parë studentëve dhe pedagogëve të universitetit, sikurse edhe bizneseve që janë të grupuara në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë" - theksoi prof. dr. Kule.Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, z. Nikolin Jaka, pasi falenderoi rektorin Kule për gadishmërinë e shprehur për realizimin e kësaj marrëveshjeje u zotua se bizneset që janë pjesë e DHTI-së, jo vetëm do të ndihmojnë, por do të orientojnë e do të ofrojnë bursa për studentët e talentuar deri në përfundim të studimeve të tyre, duke iu siguruar edhe një vend pune pas diplomimit.Memomrandumi i bashkëpunimit është i pari që nënshkruhet mes dy institucioneve, dhe ka si bazë shkëmbimin e informacionit, ndihmesën e biznesit, rritjen e kërkimit shkencor dhe evidentimin e studentëve më të talentuar, me qëllim shërbimin e dyanshëm për të dy institucionet.