E Diel, 1 Nëntor 2026

Memushi: Të ndërpriten shkollat në Veri

27/01/2005  

Viti shkollor do të shtyhet për t'u vazhduar pas semestrit të dytë si shkollë verore

Urdhërohet ndërprerja e mësimit në Veri, të paktën 1 muaj

Në zonat veriore të bllokuara nga dëbora, Ministria e Arsimit ka vendosur ndërprerjen e mësimit, të paktën për një muaj dhe vazhdimin e saj gjatë verës, duke hapur shkolla verore. "Në bazë të dispozitave ligjore në fuqi, organet e Pushtetit Lokal në bashkëpunim me Drejtoritë Arsimore Rajonale kanë vendosur në disa raste edhe për ndërprerjen e përkohshme të mësimit. Në këto zona, ku ndërprerja e mësimit do të vazhdojë në më tepër se një muaj, Ministria e Arsimit do të aplikojë shkollën verore, në mënyrë që nxënësit e këtyre zonave të thella të vendit dhe mësuesit e tyre të realizojnë të plotë programin mësimor", deklaroi dje ministri i Arsimit, Luan Memushi. Për sa i përket sistemit të ngrohjes dhe kushteve të tjera të ambientit nëpër shkolla në këto ditë dimri, ministri Memushi theksoi se kjo përgjegjësi tashmë i përket organeve të Pushtetit Lokal në kuadër të decentralizimit, zhvendosjes së kompetencave. Gjithsesi, Ministria e Arsimit po koordinon punën me këto institucione për të realizuar në kohë investimet e planifikuara me buxhetin e shtetit për vitin 2005. Ministri Memushi garantoi banorët e këtyre zonave për sigurimin e kushteve për mësim për fëmijët e tyre mbi problemet që ka shkaktuar moti i keq me dëborë e reshje në vazhdimin e procesit mesimor. Agjencia e lajmeve CNN ka njoftuar se temperatura në qytetin e Tiranës pritet që të arrijë –8 gradë. Ndoshta pas shumë vitesh ka për të patur dëborë edhe në kryeqytet. Aktualisht janë bllokuar rrugët në rrethin e Shkodrës, në Shalë e Shosh, në Malësi të Madhe, si dhe në akset kryesore të rrethit të Pukës. Prej dy ditësh në këto zona nuk bëhet mësim, pasi janë bllokuar rrugët dhe fëmijës s'mund të lëvizin. Por, qendrat shëndetësore të këtyre komunave të izoluara nga dëbora, kanë vënë alarmin edhe për barna, të cilat mungojnë, ndërsa banorët shprehen se janë keq me rezervat ushqimore, pasi nuk prisnin këtë dimër të egër.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›