Oketa kërkon mbështetjen e Francës për integrimin në BE
Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, gjatë vizitës së zhvilluar në Francë, ka deklaruar se, Parisi zyrtar i dha mbështetje të vazhdueshme Shqipërisë për anëtarësimin në NATO, ndërsa është shprehur se do të kërkonte të njëjtën ndihmë për pranimin e Shqipërisë në BE. Ministri Oketa, në vizitën e parë pas anëtarësimit të vendit në NATO, takoi në Paris, ministrin Herve Morin, i cili u shpreh për mbështetje të plotë në fushën e arsimimit, stërvitjes së përbashkët dhe logjistike.
Ministri francez Morin, çmoi vendimin e Shqipërisë për rritje të kontributit me trupa paqeruajtës në Afganistan dhe Çad, operacione që drejtohen nga BE. Nga ana e tij, ministri Oketa siguroi se Shqipëria do të jetë e gatshme me trupa paqeruajtës në zonat e konfliktit dhe falënderoi asistencën e Francës për modernizimin e FA. Oketa gjatë vizitës vizitoi edhe qendrën e Operacioneve të Forcave Ajrore të Francës.