Moshat kur rekomandohet vaksina dhe pap-testi
Falë arritjeve të shkencës, sot është prodhuar një vaksinë e cila të mbron nga infektimi me virusin HPV. Vaksina siguron një mbrojtje të lartë për dy tipet e virusit që janë shkaktarët më të shpeshtë të kancerit të qafës së mitrës. Fatmirësisht vaksina sot gjendet edhe në Shqipëri, të cilën mund ta gjeni pothuajse në çdo farmaci. Sipas specialistëve të shëndetësisë, vaksina rekomandohet të bëhet para fillimit të aktivitetit seksual, pra para infektimit me virusin HPV. Mosha optimale e rekomanduar është ajo midis moshës 9-26 vjeç. Në këtë grup popullate vaksina ka treguar efektivitet maksimal. Megjithatë, vaksina ka qenë efektive edhe në grupmoshat mbi 26 vjeç deri në 55 vjeç. Të dhënat shkencore tregojnë që vaksina është e efektshme deri në moshën 55 vjeç. Për grup moshat mbi 26 vjeç rekomandohet bërja e HPV testit përpara vaksinimit. Vaksinimi e ul rrezikun e kancerit të mitrës, por nuk e eliminon nevojën e bërjes së pap-testit. Rekomandimet për bërjen e pap-tesit janë të ndryshme. Disa rekomandojnë të kryhet çdo 1 deri tre vjet. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) rekomandohet: të gjitha femrat e moshave nga 25-65 vjeç duhet të kryejnë pap-testin; femrat nga 25 deri 49 vjeç duhet të kryejnë pap -testin çdo tre vjet; femrat nga 50 deri 64 vjeç duhet të kryejnë pap-testin çdo pesë vjet; femrat në moshën 65 vjeç e lart mund të ndalojnë të bëjnë pap-testin vetëm nëse e kanë kryer rregullisht atë që në moshën 50 vjeçe dhe kanë pasur rezultate normale.