Merkato, Curri ikën nga turqit e Gençlebirligisë

Debatik Curri
Debatik Curri është i pakënaqur me ecurinë e tij te Gençerbirligi dhe është duke e menduar largimin e tij nga radhët e ekipit turk. Mesfushori defensiv shqiptar, sezonet e fundit ka pasur telashe me dëmtime të shpeshta dhe të rënda, por është kthyer me sukses në fushën e blertë, duke pritur që të kthejë rolin e titullarit që e kishte humbur muaj më herët. Mundësinë e largimit nga skuadra turke, Curri e ka bërë të ditur të mërkurën. “Ka gjasa të largohem nga Gençlerbirligi në fund të këtij sezoni”, ka thënë për “Zërin”, mesfushori i Kombëtares shqiptare. “Nuk jam i mërzitur vetëm pse nuk po luaj rregullisht në formacionin titullar, por edhe nga fakti që nuk po e ndiej veten mirë këtu. Dhe këto arsye mund të sjellin ndarjen time me ekipin turk”. Curri u dëmtua në fillim të këtij viti në gju, edhe iu desh t’i nënshtrohej ndërhyrjes kirurgjikale, që e la afro tetë muaj jashtë futbollit. 28-vjeçari ka kontratë me ekipin turk deri në verën e ardhshme, por ai thotë se së shpejti do të ulet dhe bisedojë më krerët e tij për të diskutuar mbetjen apo ndarjen me Gençlerbirligin. “Kam kontratë me klubin deri në verën e vitit të ardhshëm, por unë nuk do të pres deri atëherë që të filloj të bisedoj me zyrtarët e tij dhe të shohim se ku jam unë në planet e tyre. Do të kërkoj të di të ardhmen time në klub, pasi në këto kushte nuk jam i interesuar të mbetem”, shtoi Curri. “Besoj se pas përfundimit të pjesës së parë të kampionatit, do të takohem me zyrtarët e klubit dhe të merremi vesh për gjithçka”. Curri nuk mërzitet shumë në rast të dështimit të bisedimeve me ekipin turk, pasi disa ekipe të ndryshme janë të interesuara për shërbimet e tij. “Nuk më brengos aspak nëse nuk merrem vesh që të mbetem në Gençlerbirligi. Më rëndësi është që të marr vesh çfarë të ardhme kam këtu. Edhe pse jam nën kontratë, ka pasur klube që janë të gatshme të më angazhojnë dhe të them të drejtën me disa prej tyre edhe kam pasur kontakte. Mund të vazhdoj karrierën në Turqi, por edhe të kthehem në Ukrainë. Ka mundësi që të luaj edhe në ndonjë kampionat tjetër. Gjërat do të jenë më të qarta pas Vitit të Ri”, tha Curri, i cili kishte kaluar në radhët e Gençlerbirligit nga Vorskla Poltava e Ukrainës në vitin 2010.
Cana titullar, Bala zëvendës
Lorik Cana ka luajtur si titullar në ndeshjen e mbrëmshme të Ligës së Europës ndaj Mariborit. Shqiptar i Lacios u aktivizua sërish në qendër të mbrojtjes, duke qenë se çelestët kanë humbur për dëmtim Biavën. Kapiteni i Shqipërisë zhvilloi një ndeshje me nivel, duke ndihmuar skuadrën e tij që të triumfojë me goleadë në fushën e sllovenëve të Mariborit. Nga ana tjetër, sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Bekim Bala, luajti vetëm 8 minuta në transfertën që Sparta e Pragës zhvilloi në Spanjë ndaj Bilbaos.Abazi, trajner në Ligën 3
Ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare, Eduard Abazi, është emëruar së fundmi trajner në Portugali. Sipas asaj që raportojnë mediat luzitane, shqiptari ka marrë drejtimin e skuadrës së Ligës së Tretë, Grupo Desportivo Alvaiazere. Prej vitesh Abazi jeton në Guimarraes dhe jo pak herë i është lakuar emri si një kandidat i mundshëm për të marrë skuadrën e qytetit të vogël portugez. Ish-futbollisti i Dinamos dhe Hajdukut të Splitit tashmë do të kërkojë të nisë një aventurë të re me skuadrën Alvaiazere.Lila pezullohet për kartonë
Pas shtatë kartonëve të verdhë të marrë gjatë këtij sezoni, mbrojtësi Andi Lila është i detyruar të mos luajë në ndeshjet ndaj PAOK-ut dhe Panathinaikosit. Dje, trajneri i PAS Janinës, Janis Hristopulos, ka vendosur që shqiptari të mungojë në këto dy takime dhe jo në ato të radhës. Sipas rregullores së Federatës Greke, klubet kanë të drejtë të vendosin për lojtarët në lidhje me ndeshjet në të cilat ata do të shlyejnë penalizimin për kartonë të verdhë që marrin gjatë kampionati.