Muzeu i Mbrojtjes, armët nga koha e Skënderbeut deri sot
Disa prej tyre kanë vjellë vërtet barot e tym, shpatat kanë ndarë vërtet më dysh pushtues, por shumë syresh kanë qëlluar mbi një armik imagjinar, që pritej të vinte nga deti apo nga ajri e që nuk erdhi kurrë. Mbi njëmijë objekte, nga shek. XV deri në vitet ’90, janë ekspozuar në Muzeun e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, ngritur së fundmi me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë dhe krijimit të Forcave të Armatosura. Realizuesit e këtij muzeu zhvilluan dje një guidë për gazetarët nëpër pavijone. Kuratorë të pavijoneve janë artistët Ardian Isufi e Genc Përmeti, të cilët kësaj atmosfere luftarake i kanë dhënë një tis artistik. Kjo dukej që në mënyrën e ekspozimit të armëve, në krijimin e instalacioneve artistike që kishin si lëndë të parë fishekë, predha, kokore, lugë, gaveta, pagure, gjyle topi. Një nga krijimet më interesante ishte një “ikonostas”, ku nuk kishte shenjtorë e skena biblike, por predha e fishekë. Sipas kuratorit Ardian Isufi, muzeu është realizuar në një kohë rekord dhe vështirësia ishte në përzgjedhjen e materialeve dhe në ekspozimin e tyre, në mënyrë që pasqyrimi të ishte sa më i shtrirë në kohë, gjithëpërfshirës, por edhe estetik. Parë me syri e një artisti, i gjithë ai arsenal mbrojtjeje mund të ishte edhe një vepër arti. Një jatagan, një shpatë, një topuz, një pisqollë, një kobure, një mbajtëse baruti, është vërtetë pjesë e historisë, por në të njëjtën kohë edhe një vepër e mirëfilltë arti.

Armë mesjetare

Monokli i Ali Pashë Tepelenës dhe armë të periudhës së tij.

Flamuri i Princ Vidit.

Grup avioni ushtarak.
Flamujt
Që në hollin e muzeut të pret këndi i flamujve, ku janë ekspozuar 11 syresh. Dy janë të Princ Vidit, një i Qeverisë së Vlorës, ai i varrimit të Ismail Qemalit, dy të nënreparteve shqiptare të viteve ’20, një i Kongresit të Lushnjës, një i shoqërisë “Drita”, një i shoqërisë “Vatra” dhe një i shoqërisë “Djelmnia e Stambollit”, 1919. Këta flamuj janë marrë nga fondi etnografik i Qendrës Studimore Albanologjike. Disa prej tyre janë zbuluar dhe janë restauruar së fundmi nga specialistët.
Pavijoni i Epokës
Sipas përgjegjësit të pavijonit, që nis qysh në vitin 1470 deri në 1945-n, Bejtash Dudumi, në këtë sektor të muzeut janë ekspozuar 236 objekte, të cilat janë marrë nga muzetë e ndryshëm etnografikë, si ai i Gjirokastrës, Elbasanit, Kavajës, Durrësit dhe Shkodrës. Në këtë pavijon gjen armë të periudhës së Mesjetës, që nga topuzi i drurit, harku, shtizat, shpatat, te pushkët e Rilindjes, armë që datonin që nga shek XVI deri në XIX, armë të periudhës së Pavarësisë 1908-1912. Ndër to, një objekt i veçantë është një monokël, të cilin e ka përdorur Ali Pashë Tepelena. Ky objekt është huazuar nga Muzeu i Armëve në Gjirokastër. Gjithashtu edhe një seri pushkësh, një prej të cilave quhet “Karaifile” dhe prodhuar në Elbasan në vitin 1878. Në këtë pavijon, një faqe muri i është rezervuar fotografisë. Sipas Ardian Isufit, janë 50 fotografi të realizuara nga dinastia Marubi dhe çdonjëra prej tyre tregon burra me mustaqe, me kostumet tradicionale të zonës dhe me armët ngjeshur. Një kënd të veçantë zënë armët e periudhës nga viti 1917-1960 dhe nga 1940-1990.
Diktatura
Armët që i përkasin periudhës së diktaturës zënë edhe hapësirën më të madhe. Të kësaj periudhe janë të gjitha pajimet e Ushtrisë, që nga radiomarrëset, radiostacionet, radioshkrues, central telefonik, më tutje një kabinë avioni, veshja e një polumbari, modele anijesh… nuk mungon as dhoma e ushtarit me krevatin marinar, me dyshekun me vija dhe batanijen e leshtë gri. Ndërsa në kënd rri uniforma e gjelbër. Kësaj periudhe i shtohet edhe arsenali i armëve apo mjeteve luftarake të ekspozuara jashtë muzeut, si avionët luftarakë Mig 19/21, avionë mësimorë JAK-18, helikopterë transporti M-6, tanke transportues të blinduar, artilerirraketa SAM-2, kundërajrorë, Katjushka, automjete etj.
Armë nga koha e Skënderbeut
Në katin e dytë, pasi ke kaluar hapësirën, muret e së cilës janë veshur me foto të mëdha nga parada ushtarake në periudha të ndryshme, si dhe janë ekspozuar veshje ushtarake, një dhomë më vete i është kushtuar tri armëve. Janë armë origjinale të përdorura në periudhën e Skënderbeut. Madje, mendohet se janë përdorur në betejën e Sfetigradit. Bëhet fjalë për një topuz metalik, shpata veneciane, njëra prej të cilave quhej “Ujku që turret”. Këto objekte janë marrë nga Muzeu i Krujës.
Vizitat
Muzeu i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë do të jetë i hapur për publikun. Sigurisht që do të vendosen edhe bileta, por ende nuk dihet se sa do të jetë tarifa që duhet paguar nga vizitorët. Një pjesë e objekteve të muzeut do të qëndrojnë deri në muajin mars e më pas do të kthehen në muzetë përkatës. Bëhet fjalë kryesisht për armët e periudhës së Mesjetës.
ALMA MILE