E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merkato, tratativa dhe thashetheme

- Moda e zërave të merkatos, e zakonshme në të gjitha vendet me futboll të pasur, është duke u zhvilluar me ritëm të lartë edhe në Shqipëri, menjëherë pas përfundimit të sezonit. Në listë nuk janë vetëm futbollistët por dhe trajnerët.
Trajneri Mirel Josa, ende trajneri zyrtar i Vllaznisë, të paktën deri në dy ndeshjet e fundqershorit në Kupën Intertoto (kundër skuadrës kroate, NK Zagreb), është duke hartuar një listë emergjente përforcimesh pas largimit të dy sulmuesve të cilët mbërritën me bujë në merkaton e janarit: Xhelal Miroci (të ardhur nga Gjermania) dhe senegalezit El Haxhi Goudjabi (të ardhur nga Dinamo).
Pista e klubit shkodran nis me Vioresin Sinanin, fituesin për herë të dytë "Këpucës së Artë" të kampionatit shqiptar. Sulmuesi ende nën kontratë me bardheblutë (deri në përfundim të aventurës së Tiranës në Ligën e Kampioneve) lidhet me dy destinacione transferimi: Vllazninë, ekipin e qytetit të tij me të cilën ka fituar edhe dy kampionate, si dhe me Elbasanin e presidentit Laze, kampionin e shkurorëzuar.
Presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj, ekipi i të cilit do të luajë në Kupën Intertoto kundër skuadrës kroate, NK Zagreb, e ka si objektivin më të madh rekrutimin e sulmuesit të Kombëtares. Dashuria e Sinanit, ish-sulmuesit të Kajserispor në Turqi, me fanellën kuqeblu është e madhe, kjo nisur edhe nga faktori familjar.
Por lëvizjet kanë dhe kah të kundërt. Një tjetër lojtar i Vllaznisë i përfolur për një lëvizje drejt kryeqytetit është Admir Teli, një mbrojtës me eksperiencë. Teli mohoi se është interesuar për një transferim të tij te Partizani. Dy sulmues të Vllaznisë, Klevis Dalipi dhe Skerdi Bejzade të ardhmen e tyre mund ta kenë sërish te Elbasani, prej nga erdhën një sezon më parë te skuadra shkodrane.
Edhe trajnerët janë në vallen e bankinave. Sezoni 2006-2007 pa 30 trajnerë në stolin e 12 skuadrave në 33 javë kampionat. Tirana, kampionia e sezonit, pas mbarimit të mandatit të Shkëlqim Muca, është në kërkim të një emri të ri.
Sulejman Starova, ish-trajner i Tiranës në sezonin 2004-2005, aktualisht trajneri i Teutës është në "pole position" ku si alternativë e tij po përmendet nga shtypi emri i ish-trajnerit të Kombëtares, Astrit Hafizi, që ka drejtuar më parë Vllazninë dhe Dinamon. Gjithsesi emri i trajnerit të Tiranës do të mësohet ditën e premte kur do të vendoset edhe në mbledhjen e punës së katër donatorëve.
Një tjetër bankinë me fytyrë të re pritet të jetë ajo e Dinamos, ku emri i Ilir Dajës, trajnerit që nxori kampion Elbasanin dy sezone më parë, është nga më të përmendurit si zëvendësues i Redi Jupit, lojtarit që luajti edhe detyrën e teknikut.
Besa, fituese e Kupës së Shqipërisë dhe pjesëmarrëse në turet paraeliminatore të Kupës UEFA, është ende pa një trajner zyrtar. Vasil Bici, trajneri i tretë i sezonit të porsapërfunduar, ia dorëzoi me "urdhër nga lart" bankinën ndihmësit Ylli Teliti. Për momentin lojtarët verdhezi kanë marrë pushimet, ndërkohë që presidenti Bizhdili është duke projektuar emrin e drejtuesit të sezonit të ri. Më i përfoluri është Ilir Shulku (e drejtoi Besën për disa javë dy sezone më parë), por bosi i klubit e mohoi në mënyrë diplomatike emërimin e tij.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›