E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merkel: Më shumë vëmendje për të rinjtë

Berlin -Kancelarja gjermane Angela Merkel bëri thirrje sot për më shumë vëmendje ndaj mirëqenies së të rinjve në Gjermani, pak ditë pasi një adoleshent vrau 15 persona javën e kaluar në një shkollë. "Mësimi është se ne duhet të jemi më të vëmendshëm ndaj të rinjve dhe kjo është e vlefshme për prindërit dhe mësuesit", u shpreh Merkel gjatë një interviste për radion "Deutschlandfunk". “Duhet të bëjmë gjithçka për të mos lejuar fëmijët të gjejnë armë dhe të përballen me dhunë ekstreme", tha ajo.

Merkel theksoi se ishte e tronditur nga masakra në qytetin jugperëndimor të Winnenden-it, pranë Shtutgartit, ku 17-vjeçari Tim Kretschmer qëlloi për vdekje 15 persona me armën e babait të tij, përfshi 12 nxënës të shkollës ku ai kishte studiuar më parë.

Tragjedia në Winnenden ka nxitur thirrjet e disa politikanëve gjermanë për forcimin e ligjit gjerman për armët. Por, në një intervistë për agjencinë Reuters javën e kaluar, ministri i Brendshëm, Wolfgang Schaeuble, anëtar i partisë Kristian Demokrate të Merkelit, e përjashtoi mundësinë e rishikimit të ligjit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›