E Diel, 1 Nëntor 2026

Merkel citon Berishën: Qëllimi i NATO-s, të kthejë armiqtë në miq



Zgjerimi i NATO-s në prill me dy anëtarë të rinj, Shqipërinë dhe Kroacinë, është cilësuar si historik dhe i rëndësishëm për të ardhmen nga Kancelarja gjermane, Angela Merkel. Në deklaratën qeveritare që kancelarja mbajti para Parlamentit gjerman, ajo ka zgjedhur të citojë pikërisht Kryeministrin shqiptar, Sali Berisha, për të përforcuar këtë ide. "Qëllimi i NATO-s është që armiqtë t'i kthejë në miq, kjo do të thotë se është një fitore e madhërishme që një nga vendet më komuniste të botës, tani po bëhet anëtar i Aleancës më perëndimore", - citoi Merkel nga një intervistë që Sali Berisha pat dhënë disa ditë më parë për një gazetë gjermane. "Në këto pak fjalë bëhet i qartë dimensioni historik i samitit me rastin e 60-vjetorit të krijimit të NATO-s", - komentoi kancelarja kristano-demokrate. Ajo e përdori frazën e Kryeministrit shqiptar për të nxjerrë në pah rëndësinë historike të samitit të ardhshëm të NATO-s, në datat 3 dhe 4 prill në Këln të Gjermanisë dhe Strasburg të Francës. Më tej, kancelarja foli për një koncept të ri strategjik të NATO-s. Në deklaratën qeveritare, ajo përshëndeti anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë në Aleancën e Atlantikut Verior. Por duket se intervista e Kryeministrit shqiptar është parë me interes edhe nga opozita gjermane. Gjatë debatit të djeshëm në Bundestag, citatit të Berishës iu kthye edhe një herë Walter Kolbow, nënkryetar i grupit parlamentar të socialdemokratëve, por me vërejtjen: "Është e vërtetë që njëra nga përparësitë e NATO-s ishte që i ktheu armiqtë e dikurshëm në miq, por në këtë Aleancë ne duhet të mbetemi miq. E për këtë, duhet të japë secili kontributin e tij dhe të pranojë disa fakte", - tha socialdemokrati, duke pasur parasysh veton e Greqisë ndaj anëtarësimit të Maqedonisë në NATO.

Koncepti i ri i NATO-s

Merkel u shpreh për një strategjie të re të NATO-s, duke shpjeguar edhe një herë konceptin e përfaqësuar nga shumica e partive në Bundestag, atë të "sigurisë së ndërthurur", një kombinim mes ndërhyrjes ushtarake dhe rindërtimit të strukturave civile. "Ky koncept strategjik do të përcaktojë shumë qartë kufijtë e Aleancës. Unë nuk shoh një NATO globale. Aleanca do të vazhdojë të përqendrohet tek siguria kolektive e partnerëve të Atlantikut Verior, ajo do të veprojë edhe jashtë territorit të saj, por kjo nuk do të thotë se në të do të anëtarësohen shtete nga e gjithë bota", - theksoi Merkel. “Ukraina dhe Gjeorgjia mbeten me perspektivë anëtarësimi në NATO”, - shtoi kancelarja gjermane. Ajo përshëndeti shprehimisht anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë, duke u shprehur optimiste se grindja aktuale mes Sllovenisë dhe Kroacisë për çështjen e kufirit, nuk do të bëhet pengesë për anëtarësimin e Kroacisë. Merkel tha se shpreson që edhe grindja mes Greqisë dhe Maqedonisë për çështjen e emrit të mënjanohet. Rrëmujë shkaktoi gjatë seancës grupi i të Majtës, deputetët e të cilit mbanin nëpër duar flamuj, ku ishte shkruar "Paqe" dhe pankarta, ku shkruhej "No NATO, No war" (Pa NATO, s'ka luftë). Deputeti i liberalëve, Guido Westerwelle, iu përgjigj: "Të gjithë ata, që kanë kërkuar vazhdimisht shkatërrimin e NATO-s duhet ta pranojnë që ka qenë NATO-ja ajo që e ka bërë më të sigurt paqen në botë".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›