Panik në zemër të Nju Jorkut, i pushuari vret ish-shefin

Nga vendi i ngjarjes afër Empire State Building
Një nëpunës i pushuar kthehet në ishvendin e tij të punës dhe qëllon për vdekje ish-shefin e tij, tri herë në kokë, duke shkaktuar kaos dhe panik në mëngjes, në zemër të Nju Jorkut. Disa persona të tjerë në vendngjarje, shumë afër Empire State Building, kanë mbetur të plagosur. Por planet e sulmuesit 58-vjeçar Xhefrej Xhonson për tia mbathur, u prishën nga një punonjës ndërtimi, i cili e kishte parë gjithë ngjarjen, e kishte ndjekur Xhonsonin përgjatë një blloku dhe kishte lajmëruar policinë. Gjatë sulmit, nëntë kalimtarë ishin plagosur. Dy persona, burri i armatosur dhe shefi i tij, mbetën të vrarë. Ngjarja ndodhi në një kohë që kjo zonë është shumë e frekuentuar nga turistët. Xhonson kishte vizituar dje pikën e shitjes së veshjeve Hazan Imports, ku ai kishte punuar si dizanjues aksesorësh përpara se të pushohej nga puna pas një vale shkurtimesh vitin e kaluar, rreth orës 9:00 të mëngjesit. Ai ishte veshur me një kostum gri dhe mbante në dorë një valixhe, sipas New York Daily News. Pasi ish-shefi i tij doli në rrugë, Xhonson e kishte qëlluar 41-vjeçarin në kokë dhe ishte larguar nga skena e krimit bashkë me një armë të kalibrit 45 të fshehur në çantën që e mbante nën krah. Punonjësi që e ndoqi, lajmëroi dy policë që ishin në detyrë jashtë Empire State Building. Kur i armatosuri u drejtoi atyre armën, ata e qëlluan duke e vrarë. Personat e plagosur gjatë sulmit të tij, shtatë burra dhe dy gra, janë dërguar në spitalet më të afërta. Në një konferencë për shtyp afër vendit të ngjarjes, komisioneri Rei Kelli dhe kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Majkëll Blumberg, thanë se disa prej të plagosurve mund të jenë goditur nga plumbat e policisë kur janë konfrontuar me personin e armatosur. I pyetur për punëtorin e ndërtimit, i cili nga shumë të tjerë është quajtur si hero, Blumberg ishte përgjigjur: Ai bëri atë që duhet të bënte. Kur ai pa diçka, tha diçka dhe ua raportoi atë profesionistëve. Kelli dhe Blumberg shtuan se ishte shumë herët për të thënë nëse Xhonson e kishte armën me leje të ligjshme apo jo, apo për të treguar nëse kishte dosje penale. Të shtënat e fundit ndodhën më pak se dy javë më parë kur një burrë i armatosur me thikë u qëllua nga policia afër Times Square, një tjetër pjesë e Nju Jorkut e populluar nga turistët. Policët e qëlluan në atë episod 51-vjeçarin Darrius Kenedi, pasi ai i kërcënoi ata me një thikë kuzhine, ndërsa turistët e tmerruar dëshmonin ngjarjen.
Dëshmitarja në krah të viktimës
Sulmi i djeshëm ndodhi në një prej ndërtesave më të populluara të Nju Jorkut. Ish-shefi i Xhonson u identifikua nga policia si Stiv Erkolino. Një grua që ka punuar me Erkolinon në të njëjtën ndërtesë, tha se ajo ecte në krah të tij kur viktima u qëllua. Irene Timan tha se ata ishin vetëm pak hapa larg derës së jashtme, kur ajo pa Xhonsonin që qëndronte pas një furgoni të bardhë. E pashë që nxori armën nga xhaketa dhe mendova: o Zot, ai do ta qëllojë! Doja të kthehesha pas dhe ta shtyja Stivin në tokë, u shpreh Timan në një intervistë telefonike me New York Times. E dija që do të ndodhte. Por ishte shumë vonë. Stiv bërtiti, Xhef e qëlloi dhe unë u ktheva pas dhe vrapova, tha ajo, duke shtuar se Xhonson nuk kishte thënë asgjë para se të qëllonte.
RASTI I DYTË Të shtënat e fundit jashtë vendit ikonë për Nju Jorkun janë regjistruar më 23 shkurt 1997, kur Ali Abu Kamal, 69-vjeçar nga Palestina, hapi zjarr në qendrën e vëzhgimit. Mësuesi palestinez vrau një 27- vjeçar dhe plagosi gjashtë të tjerë përpara se të qëllonte veten në kokë. Sulmi i tij ishte i paramenduar. Shkrimet e gjetura në trupin e tij, një në anglisht dhe një në arabisht, sulmonin Amerikën, Francën dhe Anglinë mbi trajtimin e palestinezëve.RASTI I DYTË
Të shtënat e fundit jashtë vendit ikonë për Nju Jorkun janë regjistruar më 23 shkurt 1997, kur Ali Abu Kamal, 69-vjeçar nga Palestina, hapi zjarr në qendrën e vëzhgimit. Mësuesi palestinez vrau një 27- vjeçar dhe plagosi gjashtë të tjerë përpara se të qëllonte veten në kokë. Sulmi i tij ishte i paramenduar. Shkrimet e gjetura në trupin e tij, një në anglisht dhe një në arabisht, sulmonin Amerikën, Francën dhe Anglinë mbi trajtimin e palestinezëve.