E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet presidenciale ne SHBA rekord shpenzimesh

Paraja luan gjithnjë një rol të rëndësishëm në fushatat politike të SHBA-së, por këtë vit zgjedhor presidencial, po merr rolin kryesor. Gara mes presidentit demokrat Barak Obama dhe konkurrentit të tij republikan Mit Romni, pritet të kushtojë më shumë sesa 2.5 miliardë dollarë deri në votën e 6 nëntorit. Parashikimet i jep Qendra për Politikë Responsive, e cila monitoron mbledhjen e fondeve dhe shpenzimet e kandidatëve. Kjo shifër është 800 milionë më shumë sesa 1.7 miliardë dollarë të shpenzuar në zgjedhjet e 2008-ës, të cilat ishin të parat që thyen barrierën prej 1 miliardë dollarësh. Dhe tri herë më shumë sesa shpenzimet në vitin 2005 dhe pesë herë më shumë sesa në vitin 2000. Gara e shpenzimeve është nxitur edhe nga një vendim i fundit i Gjykatës Kushtetuese, i cili krijon lehtësira mbi donacionet politike. Në korrik, Romni e kaloi Obamën në mbledhjen e fondeve, por shumë sondazhe i japin Obamës një epërsi të patrazuar. Në përgjithësi, Obama është para Romnit në mbledhjen totale të parave, por disa analistë thonë se Romni do të dalë përpara në javët e fundit të fushatës. Arma e tyre e zgjedhjes është sulmi përmes reklamave, që në mënyrë dramatike e ka ulur tonin e garës dhe e ka ndryshuar tablonë mbi të cilën luftohet në zgjedhjet presidenciale. Amerikanëve nuk iu pëlqen që të shpenzohet kaq shumë në zgjedhjet presidenciale. Kur në vitin 2008 shpenzimet arritën në 1 miliardë dollarë, një sondazh i opioninit publik (USA Today/Gallup) zbuloi se 70 për qind e amerikanëve mendonin se ishte shpenzuar sasi tepër e lartë e parave në fushatat presidenciale. Ndërkohë, të dy kandidatët kanë vazhduar gjuetinë e fuqishme për më shumë para. Këtë javë, Obama u ka dërguar një email mbështetësve pas kthimit nga shteti i Ajovës, ku Romni po shpenzon dy herë më shumë sesa ai në marketing. “Ne presim që Mit Romni dhe republikanët të na tejkalojnë”, ka shkruar presidenti. “Koha për të mbyllur hendekun po kalon. Pas tre muajve që kemi qenë vazhdimisht të tejkaluar, kjo është çështje urgjente. A do të jepni donacion sot?”

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›